Delegacioni shtetëror për dialogun me Serbinë që përfaqësohet nga Fatmir Limaj e Shpend Ahmeti, ende nuk e kanë të konfirmuar datën e udhëtimit për në Bruksel. Megjithatë, kreu i Nismës thotë se do të shkojnë në atë takim për të dëshmuar gatishmërinë e Kosovës për vazhdimin e dialogut me Serbinë, shkruan Gazeta Express.
Është thënë se delegacioni shtetëror i Kosovës për dialogun me Serbinë, do të udhëtojë drejtë Brukselit më 8 janar, megjithatë përfaqësuesi i këtij delegacioni, Fatmir Limaj, thotë se ende nuk kanë marrë ndonjë ftesë zyrtare nga BE-ja dhe se janë në pritje të caktimit të datës.
Në një prononcim për Gazetën Express ai ka thënë se ky takim është bërë me kërkesë të Brukselit, dhe se do të jetë një takim sa për t’u njoftuar.
“Së pari ne po e presim konfirmimin e takimit dhe të datës, kjo është pjesa formale, po presim. Ka qenë kërkesë e Brukselit, që të takohemi. Po e presim datën, kurdo që saktësisht të na ftojnë. Takimi do të jetë më shumë konsultativ, njohje”, ka thënë kreu i Nismës.
Ai thotë se në këtë takim që pritet të mbahet në Bruksel, do të tregojnë përkushtimin e Republikës së Kosovës për vazhdimin e dialogut me Serbinë.
“Do të shkojmë për të dëshmuar vullnetin dhe gatishmërinë e Kosovës për dialog. Më tepër një takim konsultativ, për të parë dhe për të informuar njëri tjetrin, se si do të vazhdojmë me dialog. Do t’i paraqesim qëndrimet e delegacionit të Kosovës në Bruksel”, ka shtuar zëvendëskryeministri Limaj për Gazetën Express.
Ai thotë se janë në koordinim të plotë si delegacion, dhe se pas këtij takimi do të flasin për temat të cilat konsiderojnë që janë në interes të Kosovës.
“Natyrisht ne si delegacion shtetëror jemi në takime të vazhdueshme, do të ketë takime edhe në ditët në vijim. Delegacioni shtetëror do të koordinohet së bashku jo vetëm për këtë çështje, por edhe për të gjithë çështjet tjera. Pas këtij takimi, do të futemi në temat që janë në interes të Kosovës”, ka potencuar Fatmir Limaj për Gazetën Express.
Limaj ka treguar se ky takim do të jetë vetëm ndërmjet Kosovës dhe Brukselit.
Pjesë e këtij delegacioni shtetëror për dialogun me Serbinë është edhe kreu i PSD-së, Shpend Ahmeti.
E presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se në ditën që ky delegacion do të udhëtojë drejt Brukselit, ai do të shkojë për të skijuar në Brezovicë.
Gazeta Express lidhur me këtë takim i ka adresuar disa pyetje dhe zëdhënëses së Federica Mogherinit, Maja Kocijançiq, megjithatë ende nuk ka pranuar ndonjë përgjigje zyrtare.
Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë thënë se ky delegacion nuk përfaqëson vullnetin qytetar, pasi që përbëhet nga parti shumë të vogla.
“Ekipi i tanishëm negociator është ekip i improvizuar dialogues, ekip që devalvon institucionet shtetërore, e për më tepër ekip pa legjitimitet politik meqë përbëhet nga parti minore që nuk përfaqësojnë as minimalisht vullnetin qytetar. Në rrethana të tilla LDK-ja s’bëhet pjesë e proceseve arnuese sepse shtetin e sheh më seriozisht”, ka thënë deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ditë më parë për Gazetën Express.
Krijimin e këtij ekipi shtetëror në anën tjetër e ka mirëpritur Brukseli.
Raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë acaruar edhe më shumë, pas vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, për taksë 100 për qind ndaj produkteve me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.
Presidenti serb, Aleksander Vuçiq, ka bërë thirrje që kjo taksë të largohet për të vazhduar dialogun në Bruksel, megjithatë kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se taksa do të mbetet derisa Serbia ta njohë pavarësinë e Republikës së Kosovës.
Ndërkohë ministri i Tregtisë në Qeverinë e Serbisë, Rasim Ljajiq, ka thënë se vendosja e taksës ka qenë një vendim i cili dialogun Kosovë-Serbi e ka zhvendosur tre hapa mbrapa, dhe sipas tij do të jetë e vështirë që edhe në vitin 2019 të arrihet ndonjë marrëveshje përfundimtare Kosovë-Serbi në Bruksel.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ditë më parë ka dërguar një letër në adresë të Aleksander Vuçiqit dhe Hashim Thaçit, në të cilën ka shprehur gatishmërinë e SHBA-së për t’u përfshirë në fazën finale të dialogut, dhe ka ftuar dy presidentët që marrëveshjen që e ka quajtur historike ta nënshkruajnë në Shtëpinë e Bardhë.