Kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, ka dalë në foltore pasi kryeministri Isa Mustafa e tërhoqi nga rendi i ditës pikën për demarkacionin.
Limaj tha se sipas rregullores propozuesi i ligjit mund ta tërheqë ligjin, por në këtë rast tërheqja e kësaj pike është e paarsyetuar.
“Pse po tërhiqet sot ky ligj i cili për me tepër se një vit është në pritje. Arsyetimi se një grup parlamentar nuk është prezent dhe po na kushtëzon, është i paqëndrueshëm, sepse Parlamenti nuk mund të kushtëzohet nga një grup parlamentar. Ka kuorum për të proceduar dhe grupi i deputeteve është i mjaftueshëm”, ka thënë Limaj.
“Nuk mund të tërhiqet ligji vetëm pse ‘Lista Srpska’”, nuk është këtu, ka thënë Limaj, duke vlerësuar se tërheqja e këtij ligji vjen për arsye se qeverisja e Mustafës nuk i ka numrat.
“Nuk i keni votat për ta votuar demarkacionin në variantin e plotë. Jo për shkak të Listës Serbe po për shkak të votave që s’i keni. Ne kemi nevojë dhe kohë për t’u bindur dhe për t’i hequr dilemat. I nderuar kryeministër, kisha kërkua nga ju me qenë me i qartë në arsyetimin tërheqjes së këtij projektligji, për të cilin keni thënë nuk i keni votat. Hajdeni ta votojmë. Lista Serbe po thotë nuk na i keni përmbushur disa premtime dhe atëherë vijmë në parlament”, tha Limaj.