Kreu i Nisma për Kosovën, Fatmir Limaj, ka përgëzuar akterët politikë të Maqedonisë për procesin zgjedhor të rregullt që u zhvillua dje atje.
“Urimet e mia për zgjedhjet në Maqedoni, që këtë herë rezultatet u pranuan nga të gjithë. Ky është momenti i duhur që të kuptohet mesazhi i votuesve shqiptarë, shpresoj që partitë shqiptare do të reflektojnë nga ky mesazh që ju dërguan shqiptarët”, ka shkruar Limaj.
Ai ka thënë se shqiptarët kanë humbur në numër deputetë, por sipas tij kjo nuk është asgjë nëse kanë fituar në cilësi e qartësi në përfaqësim e mbrojtje të të drejtave të tyre.
“Shpresoj e dëshiroj që kështu të jetë, këtë koha do ta tregoj. Deputetët shqiptarë kanë rast të shkëlqyer për të shfrytëzuar këtë mundësi. Urime të gjithë të zgjedhurve të popullit! Suksese në misionin tuaj”, ka shkruar Limaj në Facebook.