Zëvendëskryeministri Fatmir Limaj, ka përkujtuar rënien e komandantit Mujë Krasniqi dhe 40 bashkëluftëtarëve të tij.
Postimi i plotë në Facebook:
“Në prag të 20-vjetorit të rënies se një prej komandantëve më të shquar të Ushtrisë Çlirimtarë të Kosovës, Mujë Krasniqi dhe 40 bashkëluftëtareve të tij, kujtojmë me pietet të lartë jetën dhe veprën e komandant “Kapuçit”.
Rënia heroike e Mujës dhe 40 bashkëluftëtarëve të lirisë në kufirin mes Kosovës dhe Shqipërisë ishte humbje e madhe për UÇK-në, por po aq e madhe ishte vendosmëria e djemve dhe vajzave më të mirë të këtij vendi për ta vazhduar rrugën drejt Lirisë.
Mujë Krasniqi ishte shembull më i mirë i një luftëtari të zotë dhe një prej celulave të para të Ushtrisë Çlirimtarë të Kosovës.
Përvjetori i Mujës dhe 40 bashkëluftëtareve të tij këtë vit është më i veçantë.
Pikërisht në këtë ditë do të realizohet një nga amanetet e dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtarë të Kosovës që ishte; Ushtria e Kosovës.
Muja dhe të gjithë dëshmorët e Kombit janë më meritorët për lirinë e vendit. Ata janë themeli i lirisë sonë.
Kosova do t’i nderojë përjetë të gjithë dëshmorët e Kombit!
Lavdi të gjithë dëshmorëve dhe martirëve të Kombit”.