Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka përkujtuar Mujë Krasniqin në 20 vjetorin e rënies.
Limaj ka thënë se përvjetori i Mujës dhe 40 bashkëluftëtareve të tij këtë vit është më i veçantë. Pikërisht në këtë ditë, Limaj ka thënë se po realizohet një nga amanetet e dëshmorëve të UÇK-së, e që ishte Ushtria e Kosovës.
Postimi i plotë i Limajt:
Në prag të 20-vjetorit të rënies se një prej komandantëve më të shquar të Ushtrisë Çlirimtarë të Kosovës, Mujë Krasniqi dhe 40 bashkëluftëtareve të tij, kujtojmë me pietet të lartë jetën dhe veprën e komandant “Kapuçit”. Rënia heroike e Mujës dhe 40 bashkëluftëtarëve të lirisë në kufirin mes Kosovës dhe Shqipërisë ishte humbje e madhe për UÇK-në, por po aq e madhe ishte vendosmëria e djemve dhe vajzave më të mirë të këtij vendi për ta vazhduar rrugën drejt Lirisë. Mujë Krasniqi ishte shembull më i mirë i një luftëtari të zottë dhe një prej celulave të para të Ushtrisë Çlirimtarë të Kosovës. Përvjetori i Mujës dhe 40 bashkëluftëtareve të tij këtë vit është më i veçantë. Pikërisht në këtë ditë do të realizohet një nga amanetet e dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtarë të Kosovës që ishte; Ushtria e Kosovës. Muja dhe të gjithë dëshmorët e Kombit janë më meritorët për lirinë e vendit. Ata janë themeli i lirisë sonë. Kosova do t’i nderojë përjetë të gjithë dëshmorët e Kombit! Lavdi të gjithë dëshmorëve dhe martirëve të Kombit!