Limaj: Qeveria Kurti e ka përmbysur totalisht procesin e dialogut

Prishtinë | 16 Nën 2022 | 21:32 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka një mori kritikash për mënyrën se si Qeveria Kurti po i qaset procesit të dialogut me Serbinë.

Limaj tha në KlanKosova se qeveria aktuale ka pranuar që Serbia të lëshojë letërnjoftime për qytetarët e Kosovës, të cilët kanë adresa në territorin e vendit.

“Qeveria e Kosovës e ka bërë një gabim të madh, e ka përmbysur totalisht procesin e dialogut. Lëshimi, kompromisi më i madh, dëmi më i madh që kjo Qeveri ia ka bërë Kosovës është pranimi i ID kartave, i letërnjoftimeve. Për mua asgjë nuk është targa çka është pranimi i letërnjoftimeve që lëshohen në Nishë. Një qytetari serb i lëshohet në Nishë nga zyra në emër të administratës ose Policisë së Prizrenit, një qytetari të Kosovë serb dhe i jepet adresa në Prizren”, tha Limaj.

Limaj tha se me Qeverinë Kurti Serbia është shndërruar në hisedar në lëshimin e dokumenteve për qytetarët e Kosovës, duke theksuar se me qeveritë e mëhershme lëshimi i targave dhe dokumenteve tolerohej, por nuk pranohej.

”I  vetmi autoritet në Kosovë që ka të drejtë të lëshojë dokumente shtetërore në Kosovë është shteti i Kosovës dhe ju ia keni dhënë të drejtën edhe administratës serbe që qytetarëve të Kosovës tu lëshoj dokumente këtu. Ne këtë nuk e kemi lejuar, kurrë nuk e kemi pranu. Qeveria aktuale e ka pranuar me gojë, jo me shkrim, në ditën kur është bërë ajo letra e letërnjoftimit,  në atë ditë e ka pranu të drejtën e administratës serbe nga Kraleva, nga Nishi, nga Krushevci, nga Leskovci që të lëshojnë dokumente për qytetarin e Kosovës, deri atë ditë këto dokumente janë llogaritur ilegale, nuk janë pranuar, por janë toleruar sikur janë toleruartargat, por ama tolerim deri në një moment, sikur u mor vendimi të mos tolerohen më targat, e merr vendimin s’ka më, është joligjore dhe e ndalë, por kur ju pranoni diçka më nuk është joligjore”, tha Limaj.

Të ngjashme