Kandidati për kryeministër nga Koalicioni Nisma-AKR-PSD, Fatmir Limaj, ka shpalosur pjesë të programit të tij elektoral para qytetarëve të Pejës, raporton Ekonomia Online.
Në këtë tubim, Limaj foli edhe për dialogun me Serbinë.
Tha se dialogun me Serbinë ne mund ta fitojmë vetëm të bashkuar si forcë politike.
Ai pati një thirrje për të gjithë qytetarët pa dallime.
“Qohuni burra, gra e fëmijë në këmbë të bashkohemi për shtetin tonë sepse ky është interesi Kosovës dhe ky është interesi i Pejës. Askush vetë nuk e ka bë Kosovën dhe as nuk e ka çliruar vetë Kosovën as nuk e ka ndërtuar vet Kosovën. Të gjitha këto që sot i ka falë baballarëve tanë. Ne Kosovën mund ta zhvillojmë veç së bashku dhe mund ta mbrojmë vetëm bashkë. Dhe Kosova mund ta fitojë Serbinë vetëm të bashkuar si forca politike. Ne e kemi për detyrë t’i thërrasim njerëzit për tu bashkuar përderisa të tjerët i thërrasin për përçarje. Punëtori sot ka vetëm një shqetësim e ai është respektimi i ligjit të punës , krijimin e kushteve të punës , rritjen e rrogës minimale dhe formimin e sigurimit social”, tha Limaj.
Ai porositi e në zgjedhjet e 6 tetorit duhet të jemi të bashkuar dhe jo të ndarë.
“Sot bujku i Kosovës ka nevojë për një ministër që shkon e viziton dhe e sheh se me çfarë probleme ballafaqohet ai. Pensionerit i intereson reforma në pensione, pensioni i dinjitetshëm për të mbyllur këtë pjesë të jetës. I riu i Kosovës nuk ka kohë dhe nuk duhet të dëgjojë të tjerët dhe të mbushet me energji negative dhe nuk është rrugë kjo e cila e zhvillon dhe e ndërton personalitetin e këtij të riu. I riu dhe e reja e Kosovës nuk ka nevojë për helmim, ata kanë nevojë për frymë pozitive dhe kanë nevojë për një perspektivë për me dashtë vendin e tyre. Më shumë se kurrë sot Kosova ka nevojë që të jemi të bashkuar. Ne duam qe 6 tetorit ta qet Kosovën të bashkuar dhe jo të ndarë dhe kjo është thirrja që jemi duke bërë ne. Dhe jo rastësisht sot cep në cep të Kosovës djemtë dhe vajzat po i bashkohen kësaj partie, këtij subjekti që tashmë është kthyer në një lëvizje qytetare për bashkimin dhe forcimin e shtetit të Kosovës”, tha Limaj, raporton EO.