Kryetari i Nisma -s për Kosovën, Fatmir Limaj, gjatë një tubimi me të rinj në Prishtinë, ka shpalosur projektin e vetëpunësimit, i cili sipas tij do t’iu mundësojë të rinjve të zhvillojnë idetë e tyre dhe të pavarësohen ekonomikisht, raporton Ekonomia Online.
“Duke parë nivelin intelektual të djemve dhe vajzave tona në kemi vëzhguar me vite të tëra që kemi me qindra djem dhe vajza në Kosovë që kanë plot ide kreative, kanë dëshirë për punë janë punëtorë dhe janë të përgatitur, por nuk kanë mundësi me ia nis. Ata kanë nevojë për një nismë ata kanë nevojë për mbështetje me fillua, me u pavarësua e me i zhvillua idetë e tyre dhe ato ide me u konkretizua e që pastaj do t’i kontribuonin familjes së tij dhe shoqërisë”, ka thënë Limaj.
E, duke folur për projektin e vetëpunësimit Limaj ka thënë se në qeverinë e ardhshme do të angazhohen për krijimin e një fondi të posaçëm të ashtuquajtur Fondi për Vetëpunësim.
“Prandaj me këtë ne si Nismë dhe ministrat tonë që vijnë në Qeverinë e ardhshme të Kosovës do të angazhohemi në krijimin e një fondi të posaçëm të ashtuquajtur fondi për vetëpunësim dhe çka do të thotë kjo një vajzë, një djalë, një inxhinier, një punëtorë, një talent, një elekstiricist, një djalë që nuk e do shkollën do kompjuterin…Kjo ide e juaja e përpunuar mirë, e vlerësuar nga ekspertët e asaj lëmie mjaftueshëm jep me garantua që kjo vajzë ose ky djalë nëse shteti i jep një fond i ndihmon. Ky fond i cili do të jetë fond qendror do të shpërndahet në qendrat tona rajonale dhe të gjithë ata djem e vajza që kanë ide se mund t’i gjejnë vetes punë por kanë nevojë për mbështetje të shtetit , një kreditim, një garant nga shteti do t’i kenë zyret atje ku mund të aplikojnë dhe konkurrojnë për vetëpunësim”, ka thënë ai.
Sipas tij projekti për vetëpunësim është projekt i gjeneratës së re, dhe i Kosovës së pavarur, duke shtuar se shteti ka obligim ndaj popullit të vet.
Krejt në fund ai iu drejtua të rinjve duke u sugjeruar se në të ardhmen mos ti harrojnë dy gjëra për të qenë shtetas të devotshëm.
“Dy gjëra mos i harroni kurrë për të qenë një shtetas i devotshëm i këtij vendit tonë të Kosovës, duhet të kemi dy karakteristika përgatitja profesionale dhe e dyta me dasht vendin tënd. Fatkeqësisht kam has njerëz që janë të përgatitur profesionalisht por nuk e dojnë vendin dhe ata neve nuk na duhen asgjë, ne jemi këtu që ju me u përgatit që nesër ju me na qeveris në një etapë të re të zhvillimit të Kosovës. Le të jetë ky fillimi i një nisme të një qeverie reformatore”, ka thënë ai.
Limaj ka porositur të rinjtë që të mos zhgënjehen pasi që sipas tij projekti i vetëpunësimit është dedikuar për t’i fuqizuar këta të fundit.