Fatmir Limaj, kryetar i partisë Nisma Socialdemokrate, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, thotë se nga takimi në Uashington pritet një rikthim i fuqishëm i dialogut i cili ka për qëllim njohjen përfundimtare reciproke mes dy vendeve.
Limaj, partia e të cilit është pjesë e Qeverisë aktuale në Kosovë, thekson se SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian do të përshpejtojnë marrëveshjen e shumëpritur. Kurse, për mospërfshirjen e opozitës në procesin e dialogut ai mendon se ‘opozita në instancën e fundit kurrë nuk mund të jetë kundër një marrëveshjeje të mirë e cila mbyll çështjet e hapura me Serbinë’.
Radio Evropa e Lirë: Zoti Limaj, më 4 shtator në Uashington do të mbahet një takim mes palës kosovare dhe asaj serbe. Çka prisni nga ky takim?
Fatmir Limaj: Presim atë që ka qenë kërkesë e vazhdueshme tash e tri vjet nga partnerët tanë më të fuqishëm, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian. Rikthim në dialog, rikthim i fuqishëm në dialog, i cili ka për qëllim njohjen përfundimtare reciproke mes dy vendeve dhe një marrëveshje gjithëpërfshirëse, e cila mbyll të gjitha çështjet e hapura mes Kosovës dhe Serbisë. Do të thotë, e presim dialogun për njohje reciproke.
Radio Evropa e Lirë: A jeni në dijeni se për çfarë do të bisedohet në këtë takim?
Fatmir Limaj: Natyrisht, ajo çfarë unë mund t’ju them është se ne e kemi qëndrimin si palë kosovare dhe se çka do të bisedohet në atë takim do të shihet. Por, jemi në dijeni dhe do ta mbajmë qëndrimin ne si palë kosovare me delegacionin atje, se qëndrimi është ky që e thash.
Siç e dini ju duke u thirrur në letrën e presidentit Trump të para dy viteve kur bën thirrje për rikthim në dialog të Kosovës dhe Serbisë, me letrën që u ka dërguar dy presidentëve, nuk duhet të humbet momenti historik që Kosova dhe Serbia në tavolinën e bisedimeve të vijnë deri tek njohja reciproke. Këto thirrje janë edhe nga Bashkimi Evropian, sidomos nga kancelarja (gjermane) Angela Merkel dhe presidenti (francez) Macron që është konfirmuar edhe në samitin e fundit.
E çmojmë shumë rikthimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në dialog
Radio Evropa e Lirë: Zoti Limaj, e përmendët presidentin Trump, ai ka thënë se për arritjen e një marrëveshjeje duhet të balancohen interesat e të dyja palëve. Si e shihni ju këtë balancim?
Fatmir Limaj: Natyrisht ne e çmojmë shumë rikthimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Një gjë për ne është e qartë tash e sa vite se pa pjesëmarrjen e SHBA-së dhe BE-së dhe koordinimit mes tyre, në këtë pjesë të rajonit nuk ka pasur paqe dhe nuk janë arritur objektivat.
Kosova ka argumente të mjaftueshme në tavolinë për të treguar atë që e thatë edhe ju, se ne kemi dëshmuar pjekuri dhe gatishmëri për të jetësuar balance të tilla në interesat rajonale, sikur që kemi qenë jashtëzakonisht fleksibil në ndërtimin brenda për brenda të shtetit tonë të sistemit juridiko-politik të Kosovës. Kështu që Kosova i ka të gjitha argumentet e mundshme. Tani, vendi ynë Kosova ka bërë një gabim në qeverisjen e kaluar duke mos marrë pjesë në dialog për arsye që dihen dhe të gjithë e kanë drejtuar gishtin nga Kosova si pengesë për arsye të taksës dhe reciprocitetit.
Besoj se vendi ynë ka bërë kompromise të mëdha, mos harroni se janë dy çështje që kanë rënë shkaku i taksës dhe reciprocitetit dhe ne i kemi larguar pengesat e kërkuara nga miqtë tanë për rikthim të dialogut.
Tani Kosova kur të kthehet në dialog, duhet të demonstrojë pjekuri për të arritur dialogun për të cilin jemi të ftuar, dialog për njohje. Ne tani presim që partnerët të drejtohen nga zoti Vuçiq për të parë a e ka ai njëmend seriozisht për të ardhur tek një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe reciproke, apo është duke bërë lojëra siç ka bërë politika serbe duke luajtur sa në lindje sa në perëndim dhe duke e zhagitur këtë proces mes Kosovës dhe Serbisë.
SHBA dhe Bashkimi Evropian do të përshpejtojnë marrëveshjen e shumëpritur
Radio Evropa e Lirë: Ka pasur deklarata nga liderët politikë se në Uashington po shkohet për një marrëveshje te mundshme finale. A prisni ndonjë marrëveshje nga ky takim?
Fatmir Limaj: Për mua me rendësi është se takimi në Uashington është lajm i mirë, jo vetëm për Kosovën besoj, por edhe përtej Kosovës, për të gjithë ata që e duan paqen e stabilitetin në këtë rajon. Kjo për faktin se unë këtë proces e shoh një rikthim të fuqishëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në tavolinën e bisedimeve si ndërmjetësues e lehtësues i dialogut dhe mbi të gjitha kjo është tema më e rëndësishme që po ndodh. Shpresoj se rikyçja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian do të përshpejtojë sa më shpejtë atë marrëveshje të shumëpritur nga ne.
Çfarëdo marrëveshje me Serbinë, duhet të marrë pëlqimin e gjerë në Kosovë
Radio Evropa e Lirë: Në përbërjen e delegacionit të Kosovës në Uashington nuk është parë asnjë nga liderët politikë. Si e shihni ju këtë delegacion?
Fatmir Limaj: Besoj se tani jemi në një fazë ku kryeministri i Republikës së Kosovës, pra si kryeministër i Qeverisë së Kosovës e ka gjithë të drejtën e vet për ta prezantuar Kosovën. Por, nëse vijmë deri te ai momenti për të cilin po flasim e unë besoj që duhet të vijmë sa më shpejt rreth një dialogu intensiv, nëse Serbia e ka vërtetë seriozisht për ta mbyllur çështjen me Kosovën, atëherë unë besoj se Kosovës i duhet një delegacion shtetëror me një konsensus sa më të gjerë për ta mbyllur një herë e mirë marrëveshjen.
Unë kam qenë gjithmonë zëdhënës i asaj që pavarësisht se duhet të shohim se si do të rrjedhin gjërat në Uashington, por një gjë është e qartë që çfarëdo marrëveshje me Serbinë, paraprakisht duhet të marrë edhe pëlqimin ose konsensusin sa më të gjerë edhe në Kosovë.
Radio Evropa e Lirë: Zoti Limaj, ku mendoni se duhet të arrihet marrëveshja finale mes Kosovës dhe Serbisë, në Uashington apo Bruksel?
Fatmir Limaj: Kosova nuk guxon ta fus veten në këto situata, siç po dëgjoj nga njerëz të ndryshëm. Kosovës i duhet marrëveshje gjithëpërfshirëse me njohje reciproke dhe mbi të gjitha ajo marrëveshje duhet të jetë e garantuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian. Kjo për mua është më e rëndësishme.
Radio Evropa e Lirë: Opozita refuzoi të bëhet pjesë e delegacionit për negociatat me Serbinë. Sa mundet kjo ta rrezikojë arritjen e një marrëveshjeje të qëndrueshme, marrë parasysh që e njëjta duhet të ratifikohet edhe në Kuvend?
Fatmir Limaj: Besoj se opozita në instancën e fundit kurrë nuk mund të jetë kundër një marrëveshjeje të mirë e cila mbyll çështjet e hapura, një marrëveshje e cila përmbyll njohjen e Kosovës, një marrëveshje e cila ka anëtarësimin në OKB. Prandaj edhe duhet të gjithë të punojmë deri te një marrëveshje e tillë dhe pastaj një marrëveshje do të gjejë një përkrahje më të gjerë. Paraprakisht duhet të vazhdohen konsultimet dhe të jemi transparentë gjatë gjithë këtij procesi.
Diskutimet rreth çështjes së presidentit të ardhshëm, joetike
Radion Evropa e Lirë: A do ta përkrahni Ramush Haradinajn nga AAK-ja për postin e presidentit. Atë tashmë partia e tij e ka nominuar për ketë pozitë?
Fatmir Limaj: Kosova e ka presidentin aktual dhe çdo diskutim rreth kësaj teme tani është i hershëm, joetik dhe i panevojshëm.
Radio Evropa e Lirë: Ju vet a do të jeni kandidat për postin e presidentit?
Fatmir Limaj: Jo. Ky është qëndrimi i Nismës për të cilin po flas. Kosova e ka presidentin, asnjë ide, temë tjetër nuk diskutohet tani.
Kosova ka nevojë për një qeverisje stabile me bazë të gjerë
Radio Evropa e Lirë: A mendoni se qeveria Hoti duhet të zgjerohet, nëse po si mendoni se duhet të ndodh?
Fatmir Limaj: Unë jam gjithmonë për një qeverisje stabile me bazë të gjerë, sa më të fuqishme duke ditur cilat janë sfidat me të cilat po ballafaqohet vendi ynë.
Forcat politike këtu janë për t’ju shërbyer interesave nacionale, për të krijuar stabilitet dhe qeverisje efektive. Në situata ku vendi sfidohet dhe ka telashe të natyrave të ndryshme, partitë politike duhet të dalin mbi interesa të ngushta të tyre dhe të gjejnë rrugë që në këto sfida të punojnë duke forcuar institucionet, të qeveriset vendi dhe duke çuar mesazhin e gatishmërisë dhe pjekurisë politike për të avancuar edhe me tej konsolidim tonë shtetëror. Kështu që po, një qeverisje me bazë të gjerë është në shërbim të kësaj çka thash.
Radio Evropa e Lirë: Ju keni bërë ftesë që partia opozitare Partia Demokratike e Kosovës të bëhet pjesë e qeverisë ku jeni edhe ju. A janë zhvilluar pastaj bisedime për ketë çështje?
Fatmir Limaj: Unë kam shprehur opinionin dhe dëshirën time. Për këtë çështje duhet t’i pyesni zyrtarët e Partisë Demokratike.
Ky është mendimi, dëshira dhe besoj unë interesi i vendit tonë, interesi i Kosovës në këtë moment çfarë jemi.