Limaj u jep mbështetje të plotë angazhimeve të SBAShK-ut

Prishtinë | 24 Tet 2018 | 18:12 | Nga Ekonomia Online

Në orët e pasdites n ë ambientet e Qeverisë së Kosovës zv/kryeministri  Fatmir Limaj bashkë me Ministrin e MASHT, Shyqiri Bytyqi janë takuar me kryetarin e SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, që shoqërohej nga menaxheri për financa e administratë dhe  këshilltar për organizim të brendshëm , Ymer Ymeri.

Kryetari i SBASHK-ut ka ngritur një varg çështjesh të rëndësishme  në këtë takim duke shprehur vlerësimin se Ministri Bytyqi dhe kabineti i tij  nuk janë angazhuar mjaftueshëm në mbështetje të kërkesave legjitime të SBASHK-ut lidhur me Projektligjin e pagave  dhe ka kërkuar mbështetje nga zv/Kryeministri Limaj që të angazhohet në mënyrë që të bëhet korrigjimi i këtij Projektligji me qëllim që punëtorët e arsimit të kenë vend meritor.

Ndër çështjet që kryetari i SBASHK-ut ka  adresuar në këtë takim është edhe fakti se tani e sa muaj nuk janë mbajtur, si dikur, takimet me drejtorët e Drejtorive Arsimore, në të cilat në të kaluarën debatoheshin çështje me rëndësi dhe informoheshin palët me qëndrimet e SBASHK-ut dhe të institucioneve lokale e qendrore të arsimit. Po ashtu  Jasharaj ka kritikuar MASHT-in për mungesë të takimeve dhe komunikimit për çështje me rëndësi duke theksuar se angazhimet dhe nismat në arsim nuk të jenë të plota e të frytshme pa pjesëmarrjen e SBASHK-ut ngase kjo sindikatë është përfaqësuesja e vetme dhe legjitime e punëtorëve të arsimit dhe se gëzon besimin e plotë të të punësuarve në këtë sektor me rëndësi.  

SBASHK-u ka kritikuar Ministrin Bytyqi edhe lidhur me përbërjen e Komisionit për Zhvillimin e Strategjisë  së Arsimit të Lartë ngase në këtë Komision nuk janë përfshirë njerëz nga akademia e Shkencave, as Reaktori i UP-së, as SBASHK-u, po  në vend të tyre janë përfshirë shumë përfaqësues ndërkombëtar, njëri nga të cilët është zgjedhure edhe kryetar i Komisionit dhe madje edhe përfaqësues të OJQ-ve e individë që nuk  kanë as edhe një lidhje konkrete me arsimin.

SBASHK-u ka kërkuar po ashtu hapa konkret nga Ministri Bytyqi lidhur me hapjen e mundësisë që të punësuarit në arsim që duhet të bëjnë ngritje profesionale  kjo t’u mundësohet duke krijuar mundësi të studimeve pa shkëputje nga puna, premtim ky i dhënë publikisht nga Ministri Bytyqi. SBASHK-u ka cekur edhe çështje të tjera duke përmendur edhe çështjen e shkarkimit të një numri të madh drejtorësh n të departamenteve në  MASHT. Po ashtu SBASHK-u ka kërkuar që të shtohet komunikimi i drejtpërdrejt i MASHT me SBASHK dhe të ketë informata me kohë për veprimet konkrete në arsim.

Ministri Bytyqi është shprehur se respekton SBASHK-un dhe se ka pasur komunikim të vazhdueshëm me ta dhe se kjo do të shtohet në të ardhmen.

Duke dëgjuar  me kujdes përfaqësuesit e SBASHK-ut dhe brengat e vërejtjet e tyre, Zv/Kryeministri Limaj është shprehur se  i ka dhënë në të kaluarën dhe i jep edhe sot e gjithë ditën përkrahje të fuqishme angazhimeve të SBASHK-ut në realizimin e kërkesave të anëtarësisë dhe është shprehur se SBASHK-u është partneri kryesor strategjik i Ministrisë së Arsimit dhe do të jetë i pranishëm në të gjitha komisionet dhe angazhimet e përbashkëta në shërbim të  arsimit në Kosovë.

Limaj është shprehur se do shtuar bashkëpunimi dhe takimet e punës mes MASHT dhe SBASHK-ut dhe se ai bashkë me Ministrin do të angazhohen me tërë mundësitë që të korrigjohet Projektligji i pagave për të pasur vend meritor punëtorët e arsimit dhe se do të punohet bashkërisht edhe në shërbim të ngritjes së vazhdueshme të cilësisë në arsim.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme