Limaj: Veprimet populiste të Qeverisë Kurti i ndalën zërat mbështetës për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës

Prishtinë | 07 Mar 2024 | 08:30 | Nga Valmire Abdullahu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, në një intervistë për Ekonomia Online, ka vlerësuar se “sjelljet e papërgjegjshme” të Qeverisë Kurti e kanë sjellë Kosovën në një situatë të tensionuar me partnerët ndërkombëtarë.

Ndër dështimet e Kosovës në diplomaci, ai veçoi humbjen e mundësisë që vendi të anëtarësohet në Këshillin e Evropës (KE), për shkak të veprimeve populiste për konsum të brendshëm të Qeverisë Kurti.

Limaj thotë se diplomacia kosovare është larg sjelljes së njohjeve të reja, ndërsa kritika ka edhe për mënyrën e të funksionuarit nga disa ambasada nëpër vendet evropiane.

“Sjellja e papërgjegjshme, kalkulimet e brendshme, kur veprimet e jashtme i matni me pritje të brendshme kjo është një situatë kur keni politika të ngushta ditore, por krejt investimi që e bëni e bëni për një mashtrim ditor, e të përkohshëm, në të ashtuquajtura vendime populiste, të cilat nuk janë kuptuar nga miqtë tanë edhe herë-herë janë atakuar, ose janë kundërshtuar nga miqtë tanë… Dhe kjo nuk ka ndodhur një herë – dy, kjo ka ndodhur në vazhdimësi për tri vite”.

“Shikoni sot cila diplomaci e Kosovës, më thoni një veprim që ka bërë diplomacia kosovare? Ne sot e kemi ambasadën pa një orientim politik. Ambasadat  që i ka Kosova sot në vend japin një orientim të qartë politik, çka duhet me bë ato? Cili është roli i tyre. Ma thuani një diçka diplomatike të rëndësishme që i ka ardhur Kosovës, që ka lënë një shenjë diplomatike vendi ynë, ndonjë veprim diplomatik. Nuk po them njohje se është larg më njohje nuk ka”, thotë Limaj.

Kreu i Nismës thotë se skandalet e shpeshta, kanë bërë që të befasohen edhe aleatët dhe të ndalet ndihma për anëtarësim në organizatat e rëndësishme ndërkombëtare.

“Në vazhdimësi kemi pasur skandale, veprime të cilat shpesh i kemi befasuar miqtë tanë, dhe ata që ishin të interesuar me na ndihmuar. Kishte hapa konkretë për të na ndihmuar drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës, por veprimet e qeverisjes sonë, i ndalën edhe ata zëra mbështetës… Kështu që nuk po shohim që ka pasur ndonjë veprim konkret, serioz e të dinjitetshëm që duhet ta ketë një shtet”, ka theksuar Fatmir Limaj.

Të ngjashme