Linqime dhe kanosje, muaj i rëndë për gazetarët në Kosovë

Prishtinë | 13 Tet 2026 | 10:38 | Nga Ekonomia Online

Me kanosje dhe linçime janë përballur gazetarët kosovarë Fidan Jupolli dhe Lirim Mehmetaj gjatë këtij muaji, shkruan Ekonomia Online.

Për ditë të tëra, autori i emisionit “DPT te Fidani”, Fidan Jupolli, është linçuar nga eksponentë të pushtetit, për shkak të një deklarimi të tij se “o je me UÇK-në, o me Millosheviqin”.

Jupolli këtë fjali e kishte thënë në emisionin e tij gjatë protestave kundër Gjykatës Speciale që janë mbajtur anembanë Kosovës, pas dënimit me 81 vjet burgim të ish-krerëve të UÇK-së.

Për sulmet ndaj gazetarit Jupolli me përvojë shumëvjeçare, reaguan deputetë opozitarë, duke i dalë në krah gazetarit, i cili ka punuar në disa media në Kosovë, derisa në emisionin e tij kishin hapësirë edhe deputetë e ministra të pushtetit aktual.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e pati dënuar fyerjet, etiketimet dhe kërcënimet ndaj Jupollit. AGK-ja ka shprehur mbështetje për Jupollin që të ndërmarrë veprime ligjore për denoncimin e sulmeve, të cilat, sipas AGK-së cenojnë edhe integritetin fizik të tij dhe të familjes së tij.

Ndërkaq, fushata u egërsua kur ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Gani Geci të hënën e 12 tetorit u pa në oborrin e televizionit Dukagjini, nga ku u lajmërua se po e pret gazetarin Lirim Mehmetaj.

Ky i fundit e kishte lajmëruar në polici pasi ishte kanosur për shkak të një deklarimi për familjarin e Gecit, Fatosin që është deputet i VV-së e të cilin Mehmetaj e kishte quajtur “analfabet”, pasi ky i fundit kishte akuzuar ish-krerët e UÇK-së se kanë kryer mbi 244 vrasje.

Më pas, Policia e ndaloi për 48 orë Gecin nën dyshimin se ka kanosur gazetarin e VOX Kosova, Lirim Mehmetaj, teksa ky i fundit reagoi në rrjetin e tij social duke shkruar “E vërteta gjithmonë”.

Për juristen e medias Flutra Kusari, Qeveria duhet ta bëjë urgjentisht ndryshimin e ligjeve dhe krijimin e mekanizmave për mbrojtjen e gazetarëve, duke theksuar se situata në të cilën punojnë gazetarët në Kosovë është e rrezikshme.

“Oj Qeveri, wake up! Lirim Mehmetaj po përballet me presion të jashtëzakonshëm. Fidan Jupolli po përballet me presion të jashtëzakonshëm. Çfarë duhet të ndodhë më shumë që Qeveria e Kosovës të fillojë t’i ndryshojë ligjet dhe të krijojë mekanizma për mbrojtjen e gazetarëve?”, ka shkruar Kusari në Facebook.

Ajo ka thënë se do të vazhdojë të ngrejë shqetësimin për sigurinë e gazetarëve, duke u bazuar edhe në përvojën e saj të punës në vende ku janë vrarë gazetarë.

“Po e them prapë dhe kom me përsëritë vazhdimisht. Unë punoj në vende ku janë vra gazetarë. Atmosfera në të cilën punojnë gazetarët në Kosovë ka ngjashmëri të madhe me ato vende. Nuk po them se në Kosovë do të vriten gazetarë, por situata është e rrezikshme dhe qeveria duhet të zgjohet nga gjumi dhe ta marrë seriozisht këtë punë”, ka theksuar ajo.

Liria e medias në Kosovë ka hyrë në një periudhë të qartë përkeqësimi, si pasojë e ndërhyrjeve politike, sulmeve verbale ndaj gazetarëve dhe dobësimit të pavarësisë së institucioneve mediale, thuhet në raportin e publikuar më 20 korrik nga organizatat partnere të Platformës së Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Gazetarisë dhe Sigurisë së Gazetarëve.

Vetëm gjatë vitit 2025, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës regjistroi 69 raste që përfshinin gazetarë dhe media, përfshirë raste denigrimi publik, diskreditimi dhe sulmesh online.

Raporti vëren se një pjesë e konsiderueshme e këtyre rasteve lidhen me deklarata ose veprime të zyrtarëve publikë dhe politikanëve.

Në Indeksin Botëror të Lirisë së Mediave të Reporterëve pa Kufij për vitin 2026, Kosova renditet e 84-ta nga 180 vende, duke rënë për 28 pozita krahasuar me vitin 2023.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme