A.Xh. nga Lipjani e ka martuar vajzën e vet 17 vjeçe, pavarësisht se ka njohuri që një veprim të tillë në këtë moshë e ndalon ligji aktual në fuqi.
Arsyetimin bazë për këtë, ky prind e merr papunësinë. Martesën e sheh edhe si institucion për ta përballuar më lehtë gjendjen e rëndë ekonomike me të cilën përballet ky komunitet.
Mundësitë e vogla materiale, privojnë shumë pjesëtarë të këtij komuniteti për ta vazhduar shkollimin, shkruan sot “Koha Ditore”.
“Sipas zakoneve tona së pari familja e dhëndrit ishte interesuar nëpërmjet të afërmve për ta kërkuar vajzën tonë për djalin e tyre, mandej pasi që jemi pajtuar e kemi bërë ceremoninë e fejesës të cilën e ka financuar babai i dhëndrit rreth një mijë euro sepse kështu e kërkon tradita”, rrëfen A.Xh nga komuniteti RAE në Lipjan.
Sipas tij, pas periudhës gjashtëmujore familja e dhëndrit sipas traditës duhej ta kërkonte sërish pëlqimin e familjes së vajzës që ta bëjnë dasmën.