Lipjani dhe Feronikeli i Drenasit edicionin e ardhshëm nuk do të luajnë në Superligën e Kosovës në basketboll. Këtë vendim e mori Bordi Ekzekutiv i Federatës së Basketbollit të Kosovës, është bërë e ditur të premten.
Ndërkohë Trepça do të luajë në plejaut për të siguruar mbetjen në elitë.
Edicioni në basketbollin kosovar, në ligat seniore, është anuluar për shkak të koronavirusit. Kampionët nuk janë shpallur, por rangimi aktual është marrë për bazë për përcaktimin e rënies dhe promovimit.
Kështu Lipjani i vendit të fundit dhe Feronikeli i parafundit, janë larguar nga Superliga. Në edicionin e ri do të luajnë në Ligën e Parë.
Vëllaznimi si lider në Ligën e Parë promovohet në Superligë, ndërsa AS Prishtina e pozitës së dytë do të luajë në plejaut me Trepçën për vendin në Superligë.
Ndeshjet e plejautit do të luhen në shtator.
Superliga këtë edicion ka numëruar nëntë skuadra, pasi Peja ishte riorganizuar dhe ishte përfshirë më vonë. Tani prej atij ndryshimi ka pësuar Feronikeli si i parafundit, ndërsa eventualisht mund të pësojë edhe Trepça, raporton Koha.net.