Lipjani shënon Ditën e Çlirimit

Prishtinë | 12 Qer 2017 | 14:40 | Nga

Kuvendi Komunal sot ka mbajtur seancë solemne për nderë të 18-të vjetorit të Ditës së Çlirimit të Komunës së Lipjanit.

Me këtë rast Kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti ka uruar të gjithë qytetarët lipjanas për ditën e çlirimit. Ai tha se dita e çlirimit të vendit, si sot e përherë do të shënohet jo vetëm në kujtim të ndjenjës së lirisë, por edhe detyrim i respektit, kujtimit e nderimit të të gjitha organizimeve ndërshqiptare për të ndërtuar shtetin e mëvetësisë ndër gjenerata, për të sublimuar lirin tonë, djemtë dhe vajzat dëshmore e martire të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Sot e përherë, kushdo që flet dhe e gëzon lirinë e vendit tonë, do respektoj e nderoj përgjithmonë veprën, kontributin e gjeneratave të tëra, sepse ata bënë historinë, ata i dhanë vlerë lirisë, sepse dizajnuan, unifikuan, ditën dhe mundën të punojnë në troje tona e për atdheun tonë dhe me miq ndërkombëtar, që vendi ynë të gëzoj lirinë dhe pavarësinë. Të till përherë do të nderohen si Ibrahim Rugova e Adem Jashari, Sali Çeku e Agim Ramadani, Zahir Pajaziti e Hamëz Jashari dhe të gjithë dëshmorët e martirët e vendit tonë”, ka theksuar kryetari Ahmeti.

Ahmeti po ashtu tha se shqiptarët sot e përgjithnjë e kujtojnë dhe i mbeten mirënjohës SHBA-ve dhe shteteve aleate nën ombrellën e NATO-s që ndihmuan finalisht e përfundimisht vendin tonë për liri e pavarësi.

Kreu komunal i Lipjanit theksoi se festa e lirisë, sot na thërret jo vetëm në shënimin e festimin e ditës së çlirimit, por kjo festë troket në ndërgjegjen e secilit nga ne, secilit qytetarë, për respektimin e vlerave që sollën lirinë, për vetë lirinë e shtetësinë tonë.

“Nuk mund të presim që të tjerët të duan shtetin tonë më shumë se vet ne, por kemi përgjegjësi të zhvillojmë dhe integrojmë vendin tonë. E nderojmë dhe respektojmë të kaluarën tonë duke qenë të përgjegjshëm e të pastër karshi lirisë dhe mëvetësisë së vendit tonë”, është shprehur kryetari Imri Ahmeti.

Fotografia e Komuna e Lipjanit- Faqja Zyrtare

Fotografia e Komuna e Lipjanit- Faqja Zyrtare

Fotografia e Komuna e Lipjanit- Faqja Zyrtare

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme