Mbi 1.5 milion rasate të Koranit janë hedhur në ujerat e liqenit të Ohrit në Pogradec me qëllim shtimin e atij që njihet si një prej specieve më të rralla të peshkut.
Një lajm i tillë e ka bërë të ditur kreu i qeverisë, Edi Rama, i cili vuri theksin se një gjë e tillë është bërë për herë të parë në historinë e tij. Kreu i qeverisë sqaroi se prodhimi i rasatit të koranit është bërë në qendrën e Linit.
“Tanimë trashëgimi botërore e shpallur dhe mbrojtur nga UNESCO, Liqeni i Ohrit për herë të parë në historinë e tij, u pasurua me mbi 1.5 milionë rasate të koranit. Prodhimi i rasatit u bë në qendrën moderne të Linit, me kontribut të qeverisë shqiptare, nën drejtimin e Bled Çuçit. Procesi do të vijojë gjatë gjithë muajit tetor, ndërkohë që një program investimesh buzë liqenit, do të hyjë në fazën e realizimit”, shkruan Rama.
Një nismë e tillë vjen për shkak se Korani është ndër peshqit më të rrezikuar si pasojë e peshkimit pa kriter në çdo periudhë të vitit.