Lira turke ra ndjeshëm në ditën e parë tregtare të kësaj jave, duke prekur 6.69 kundër dollarit, pasi bordi i zgjedhjeve në vend lajmëroi se partia e opozitës ishte përpara në Stamboll.
Indeksi i titujve të kapitalit BIST 100, ra me 1.65 për qind në hapje të tregtisë evropiane dhe ka humbur 7 për qind javën e kaluar. Vitin e kaluar, valuta humbi 30 për qind të vlerës kundër dollarit amerikan.
Sipas Bloomberg, përcjell Telegrafi, fitoret e partisë Popullore Republikane (CHP) përbëjnë një goditje ndaj qeverisë, kryesisht nëse humbet edhe në Stamboll, qytet ku presidenti aktual Rexhep Tajip Erdogan nisi karrierën politike si kryetar i në vitet 1990-ta.
Megjithatë, Partia Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) e Erdogan dhe partneri i djathtë në koalicion, Lëvizja Nacionaliste (MHP), siguruan më shumë se 50 për qind të votave kombëtare dhe shumicën e qarqeve të Stambollit.
Votuesit reflektuan pakënaqësitë mbi vështirësitë ekonomike në votimin e ditës së diel. Niveli i papunësisë qëndron në 13 për qind, normë më e lartë në një dekadë dhe inflacioni preku 19.7 për qind.
Sipas analistëve, investitorët do të presin tashmë reformat që qeveria do të prezantojë, pas premtimeve të reja të bëra nga Erdogan. Rënia e lirës ka sjellë dobësimin e fuqisë blerëse të konsumatorëve dhe ka shkaktuar vështirësi për bankat turke dhe bizneset që kanë borxh të lartë në dollarë.