Lira turke me rënie të mëdha

Prishtinë | 24 Maj 2018 | 09:06 | Nga

Lira ishte drejt performancës më të keqe mujore që prej vitit 2008, kur ra në një nivel rekord të ulët këtë javë, duke treguar se ngurrimi i Bankës Qendrore për të ndërhyrë në tregje ka bërë që investitorët ta shesin valutën. Vetëm gjatë ditës së Mërkurë, lira ra me 5.2%.

Analistët në Londër thonë se politikëbërësit në Turqi duhet të rrisin patjetër normën bazë të interesit dhe se nuk ka ndonjë kufi të rënies së fundit, duke u kthyer në një krizë të valutës.

Sipas analistëve, turqit do të nisin ta shesin gjithashtu, duke krijuar një mungesë totale të besimit. Lira ka rënë çdo ditë gjatë 3 muajve të fundit, një shitje që është përshpejtuar që kur presidenti Erdogan tha se synon të luajë një rol më të fortë në politikat monetare nëse fiton zgjedhjet e 24 Qershorit. Tregtarët kanë fajësuar gjithashtu vendin, që nuk po lufton inflacionin dyshifror dhe deficitin e llogarisë korrente.

Deri më tani për vitin, lira ka humbur 21% dhe është valuta e dytë më e keqe në tregjet në zhvillim pas pesos së Argjentinës. Bursa e Stambollit deklaroi se nuk ka të dhëna ekonomike që justifikojnë zhvlerësimin e lirës dhe fajësoi qasjet spekulative të investitorëve që synojnë cenimin e ekonomisë turke.

Sipas bankës së dytë më të madhe në Gjermani, Commerzbank, zhvillimet e fundit të kursit të këmbimit të lirës janë simptoma të një krize të valutës. Lira arriti në 4.84 kundrejt dollarit dhe luhatshmëria e valutës arriti nivelin më të lartë në 8 vite. Bursa e Stambollit ra me 1% ndërsa yieldi i titujve 10-vjeçar të vendit u rrit në 7.4%.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme