Liria e shtypit 2017

Prishtinë | 19 Dhj 2017 | 09:11 | Nga

65 gazetarë të vrarë, 54 të rrëmbyer, 326 të burgosur – ky është bilanci i OJQ-së “Reporterë pa Kufij” për vitin 2017.

“Kudo që të hedhësh sytë, ke mashtrues. Situata është e pashpresë” – ky ishte titulli i artikullit të fundit të gazetares Daphne Caruana Galizia. Menjëherë pas këtij, ajo u vra nga një bombë makinë. Në blogun e saj gazetarja malteze denonconte korrupsionin qeveritar, ryshfetet, trafikun e paligjshëm dhe bizneset financiare në Maltë. Ndër të tjera 53-vjeçarja kishte shkruar për përfshirjen e personave të besuar të kryeministrit të Maltës Joseph Muscat në këto afera dhe i akuzonte ata për drejtimin e kompanive fiktive. Vazhdimisht ajo kishte marrë kërcënime me vdekje, i fundit dy javë para vdekjes së saj. Më 16 tetor, pak pasi kishte dalë nga shtëpia, në makinën e saj Peugeot 108 të marrë me qira shpërtheu një bombë.

Rasti i Caruana Galizia është një nga gjithsej 39, që punonjës të mediave janë vrarë këtë vit për shkak të punës së tyre. Kështu thuhet në raportin vjetor të organizatës joqeveritare “Reporterë pa Kufij”. Motivi i këtyre vrasjeve ishte që t’i bënin gazetarët të heshtnin. Në punë e sipër kanë gjetur vdekjen prej luftimeve, bombardimeve apo predhave edhe 26 gazetarë dhe reporterë.

Numri më i ulët i gazetarëve të vrarë që prej 14 vjetësh

Pavarësisht vrasjeve: OJQ “Reporterë pa Kufij” nxjerr një përfundim pozitiv për vitin 2017, sepse në dallim nga viti i kaluar, numri i gazetarëve të vrarë ka rënë me 18 për qind. Madje 2017-ta është edhe viti me numrin më të vogël të gazetarëve të vrarë që prej 14 vjetësh. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se bota është bërë më paqësore. Sipas OJQ-së “Reporterë pa Kufij” rënia lidhet kryesisht me faktin se shumë gazetarë janë larguar nga vende si Iraku, Jemeni dhe Siria, sepse puna e tyre është bërë shumë e rrezikshme për shkak të luftës.

Kinë: Burgosje deri në vdekje

Në Kinë liria e mendimit vazhdon të jetë e kufizuar, thuhet në raportin e OJQ-së “Reporterë pa Kufij”. Tani aty po përdoret një metodë tjetër për t’i bërë gazetarët të heshin. Ata nuk dënohen me vdekjen, por burgosen dhe aty i lënë për aq kohë sa gjendja e tyre shëndetësore të përkeqësohet dhe ata të vdesin. Si në rastin e nobelistit të paqes Liu Xiaobo apo blogerit Yang Tongyan.

Burgime dhe marrje peng

Në Turqi puna e gazetarëve është vështirësuar pas përpjekjes për grusht shteti në korrik 2016. Shumë gazetarë janë burgosur nën dyshimin për terrorizëm. Ndër ta edhe gazetari gjermano-turk Deniz Yücel që është burgosur në shkurt të këtij viti dhe ende është në pritje të akuzës.

Kurse në Siri dhe në Irak sipas OJQ-së “Reporterë pa Kufij” gazetarët janë në rrezik të madh që të rrëmbehen dhe të mbahen peng. Ndër 54 gazetarët e rrëmbyer në vitin 2017 mendohet se 40 syresh janë në duart e Shtetit Islamik (IS) ose grupeve të tjera ekstremiste, thuhet në raportin e OJQ-së “Reporterë pa Kufij”./DW

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme