Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, tha se rasti i ndalimit të Ramush Haradinajt nuk duhet të përsëritet më.
Në një reagim për mediet pas lirimit me kusht të lideri të AAK-së nga burgu në Francë, Basha tha se urdhërarrestet e Serbisë janë jo vetëm padrejtësi personale ndaj njerëzve si Haradinaj që kanë sakrifikuar për lirinë e Kosovës, por janë njëkohësisht sulm ndaj vetë pavarësisë së Kosovës dhe integritetit të saj politik.
“Jam i gëzuar që drejtësia franceze ka marrë një vendim që lehtëson padrejtësinë ndaj Ramush Haradinajt. Uroj që drejtësia e plotë të bëhet sa më parë dhe Ramushi të lihet sa më shpejt i lirë për t’u kthyer në Kosovë”.
“Urdhërarrestet e Serbisë janë jo vetëm padrejtësi personale ndaj njerëzve si Ramushi që kanë sakrifikuar për lirinë e Kosovës, por janë njëkohësisht sulm ndaj vetë pavarësisë së Kosovës dhe integritetit të saj politik”.
“Ka vetëm një garanci që kjo padrejtësi ndaj Kosovës të mos përsëritet më: të detyrohet Serbia të anulojë urdhër arrestet për luftëtarët e Kosovës. Kjo është detyra kryesore e qeverisë tonë: trysnia ndaj Serbisë dhe kerkesa ndaj vendeve të tjera për të ushtruar trysni mbi Serbinë”, ka theksuar Basha.