Lirohen dy pjesëtarët serbë të FSK-së që u ndaluan në Jarinjë

Prishtinë | 19 Jan 2019 | 13:46 | Nga Ekonomia Online

Janë liruar dy pjesëtarët serbë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), që ishin ndaluar nga autoritetet serbe në vendkalimin kufitar me Serbinë, në Jarinjë.

Lajmin për Radion Evropa e Lirë e ka konfirmuar, Ibrahim Shala, zëdhënës në FSK.

“Që të dy pjesëtarët e FSK-së janë liruar. Sigurisht i kanë marrë në pyetje, në bisedë informative, siç ka ndodhur me të tjerët deri më tash edhe me këta është vepruar”, tha Shala.

Ai tha se ndalimi i dy pjesëtarëve serbë të FSK-së nga autoritetet serbe “ne na indinjon edhe e gjykojmë rëndë sepse është rast që shkel të drejtat e njeriut, të drejtën e lirisë së lëvizjes dhe të drejtat e individit, vetëm për shkak të një përcaktimi të vet për një perspektivë jetësore që ai do të punësohet ose është punësuar, në këtë rast në FSK”.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, më herët gjatë ditës kishte reaguar pas ndalimit të dy pjesëtarëve serbë, duke kërkuar lirimin e tyre të menjëhershëm.

Përveç pjesëtarëve serbë të FSK-së, të cilët janë përballur me vështirësi në vendkalimet kufitare me Serbinë, autoritetet serbe kanë ndaluar edhe disa përfaqësues politikë serbë.

Vitin e kaluar, pas presioneve, siç u tha nga Beogradi zyrtar, dhjetëra pjesëtarë të FSK-së braktisën radhët e kësaj force.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme