Lirohen gjashtë serbët e arrestuar në Zubin Potok e edhe punëtori i UNMIK-ut

Prishtinë | 30 Maj 2019 | 10:05 | Nga Ekonomia Online

Të gjashtë civilët serbë, të arrestuar nga njësia speciale e Policisë së Kosovës të martën në Zubin Potok, janë liruar mbrëmjen e djeshme, ka raportuar “Radio kontakt plus”.

Siç thuhet, ata u liruan pas që gjykatësi i Gjykatës Themelore në Mitrovicë, departamenti në Zubin Potok, Liljana Stevanoviq, ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë së Kosovës që t’ua caktojë paraburgimin.

“Radio Kontakt Plus” shton se gjykatësja ka vlerësuar se prokuroria kishte prova të pamjaftueshme që serbëve t’u vazhdohet paraburgimi, të cilët ishin arrestuar për shkak të pengimit të kryerjes së detyrave zyrtare nga policia, transmeton Koha.net.

Sipas këtij mediumi, janë liruar Predrag, Tomisllav, Marko dhe Ivica Milovanoviq, sikurse edhe Millosh Orlloviq dhe Dejan Dimoviq, pjesëtari serb i UNMIK-ut.

Tre serbë – Marko dhe Ivica Milovanoviq dhe Millosh Orlloviq, janë pranuar në spitalin e Mitrovicës veriore për shkak të lëndimeve që kanë pësuar gjatë aksionit policor në Zubin Potok.

Lirimin e pjesëtarit të dytë të UNMIK-ut e ka konfirmuar vetë Misioni për agjencinë serbe të lajmeve “Tanjug”, duke thënë se ai është liruar dhe është dërguar në spital.

Sipas “Radio Kontakt Plusit”, pritet që edhe tre serbët tjerë të kërkojnë ndihmë mjekësore.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme