Lirohen nga akuza për ryshfet punëtorët e KEDS-it

Prishtinë | 20 Jan 2017 | 10:43 | Nga

Eset Tairi, Jusuf Shaljani, Qamil Bekteshi e Gzim Gashi akuzoheshin se kishin pranuar 1 000 euro ryshfet e Xhemajl Ramadani se dha këtë shumë.

4 punëtorë të KEDS-it që akuzoheshin nga Prokuroria se kanë pranuar 1 000 euro ryshfet, si dhe personi që akuzohej se dha këtë shumë, janë shpallur të pafajshëm.

Gjykata Themelore në Prishtinë tha se nuk u gjetën prova se të pesë të akuzuarit kishin kryer veprat për të cilat akuzoheshin.

Avokati Nikë Shala, që mbrojti Gëzim Gashin, paralajmëron se pas plotfuqishmërisë së vendimit mund të kërkojë kompensim dhe kthimin e klientit të tij në vendin e punës.

“Pasi që aktgjykimi të marrë formën e prerë, do të shikojmë me klientin tim që të kërkojmë të drejtën e kompensimit të dëmit dhe kthimin në vendin e punës”, tha Shala.

Avokati shtoi se nga fillimi i procedurës ka besuar në pafajësinë e klientit të tij.

“Gjatë seancave kryesore, me asnjë provë të vetme nuk është dëshmuar teza e aktakuzës, se të akuzuarit e kanë kryer veprën për të cilën akuzoheshin. Kam konsideruar që aktakuza është ngritur në supozime dhe nga provat e administruara nuk rezulton se të akuzuarit e kishin kryer veprën”, tha Shala.

Eset Tairi, Jusuf Shaljani, Qamil Bekteshi dhe Gzim Gashi akuzoheshin se kishin pranuar 1 000 euro ryshfet nga Xhemajl Ramadani për të mos i konstatuar në procesverbal parregullsitë lidhur me një kabllo përmes së cilës vidhej rryma.

Sipas aktakuzës, ngjarja kishte ndodhur në Prishtinë, në hotel “Begolli”, më 17 nëntor 2014. (Kallxo.com)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme