Gjykata Themelore në Prishtinë i ka liruar nga akuzat për armëmbajtje pa leje, ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, deputetin Pal Lekaj dhe ish-deputetet Donika Kadaj-Bujupi dhe Besa Haxhiu që akuzoheshin për rastin e hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.
Ata janë liruar nga akuzat në mungesë të provave.
Shpallja e aktgjykimit u bë nga gjykatësja Fatime Dërmaku, e cila tha se në mungesë të provave, të akuzuarit lirohen nga akuzat, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas kryetares së trupit gjykues, nga administrimi i provave materiale, konkretisht vërtetimi mbi kthimin e sendeve, dokumentacioni dhe vërtetimi mbi sekuestrimin e sendeve, gjykata vlerëson se nuk mund të vërtetohet se të pandehurit kanë kryer veprën penale, pasi që nuk ka asnjë ekspertizë që të mund të vërtetohej fakti se sendet e sekuestruara nuk mund të ishin armë në pajtim me ligjin për armët.
Gjithashtu, sipas gjykatëses, edhe nga vërtetimi mbi kthimin e sendit gjykata konsideron se po të ishin armë ashtu siç pretendon prokuroria, të njëjtat nuk do të ishin kthyer tek i pandehuri Lekaj.
Fillimisht, gjykatëse e këtij rasti ka qenë gjykatësja Naime Krasniqi – Jashanica, por pas kalimit të saj nga Departamenti i Krimeve të Rënda në Departament të Përgjithshëm, ky rast do të gjykohet nga gjykatësja Fatime Dermaku.
Sipas aktakuzës së ngritur me 8 prill 2016, Lekaj, Baftiu, Kadaj-Bujupi dhe Haxhiu akuzohen se pa autorizim kishin poseduar bombola të gazit lotsjellës.
Në aktakuzë thuhet se më 19 shkurt 2016, rreth orës 12:20, në hollin e Kuvendit e Kosovës, pas pauzës së punimeve të Kuvendit, derisa të akuzuarit ishin duke u kthyer në sallë, gjatë kontrollit nga ana e punëtorëve të sigurimit të Kuvendit, tek të akuzuarit ishin gjetur dhe sekuestruar nga një bombole e gazit lotsjellës, të cilën e mbanin pa autorizim.
Për këto veprime, katër të akuzuarit po dyshohet se secili veç e veç kanë kryer veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374, paragrafi 1, të KPRK-së.