Fotoreporteri i portalit Indeksonline, Blerim Uka, është liruar nga policia maqedonase, pasi është mbajtur për disa orë në stacionin policor në Shkup.
Lajmin e ka konfirmuar Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK).
“Uka është mbajtur për disa orë rresht pasi ishte dërguar ne stacionin policor gjate përcjelljes se Seancës Gjyqësore në rastin e njohur si ‘Kumanova'”, thuhet në njoftimin e AGK-së.
AGK i dëshiron kolegut Uka rikthim të shpejtë në shtëpi dhe vazhdim të punës së tij si fotoreporter.
AGK dënon arrestimin e fotoreporterit Blerim Uka
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) e dënon arrestimin e kolegut dhe anëtarit të AGK-së, Blerim Uka, në Shkup të Maqedonisë.
AGK është njoftuar se kolegu Uka është arrestuar gjatë ditës së sotme derisa ai ishte duke raportuar për seancën gjyqësore në rastin e njohur si “Kumanova”. Siç mëson AGK, kolegu Uka ka qenë paraprakisht i akredituar për të përcjellur këtë seancë gjyqësore dhe se arrestimi i tij ka ndodhur jashtë ambienteve të gjykatës.
AGK kërkon nga autoritetet maqedonase që të lirojnë menjëherë kolegun Blerim Uka duke treguar kështu se nuk janë pengues të punës së gazetarëve dhe shkelës të lirisë së mediave.
AGK është duke u përpjekur vazhdimisht që të kontaktojë me Ambasadën e Kosovës në Maqedoni si dhe me autoritetet maqedonase. Poashtu, AGK ka kërkuar ndihmë nga Asociacioni i Gazetarëve të Maqedonisë.
Duke shpresuar në sqarim sa më të shpejt të kësaj situate, AGK beson në lirim të shpejt të kolegut në fjalë.