Gjykata në Belgjikë ka liruar ish-liderin e arratisur të qeverisë autonome të Katalonjës, Carles Puigdemont, pasi në mëngjes u dorëzua para autoriteteve belge, transmeton Anadolu Agency (AA).
Puigdemont u dorëzua vullnetarisht në policinë e Belgjikës, ku ai gjendet si i arratisur, ndërsa më pas u paraqit në gjykatë, raportuan mediat belge.
Gjykatësi ka vendosur që Puigdemont, ndaj të cilët Gjykata e Lartë e Spanjës deri më tani ka lëshuar tre urdhra arresti në nivel evropian, të lirohet.
Gjykata vendosi që ish-lideri katalan të jetë nën mbikëqyrjen e gjyqësorit belg gjatë periudhës së shqyrtimit të fletarrestimit të Spanjës.
Procesi në Katalonjë
Më 12 qershor përfundoi gjyqi katërmujor ndaj 12 politikanëve katalanë dhe liderëve të organizatave joqeveritare që ishin në gjykim për organizimin e referendumit të pavarësisë së Rajonit Autonom të Katalonjës, i cili u zhvillua pavarësisht se ishte shpallur i paligjshëm nga Spanja.
Lidhur me referendumin për pavarësi i cili u zhvillua më 1 tetor 2017 në qeverinë autonome të Katalonjës, pavarësisht se u shpall i paligjshëm nga Gjykata Kushtetuese, në gjykim ndodheshin 12 të akuzuar, prej të cilëve nëntë nën masën e arrestit dhe tre në gjendje të lirë.
Ndaj të akuzuarve kërkohej dënim nga shtatë deri në 25 vjet burg me akuzat për “rrëzimin pjesërisht ose plotësisht me dhunë të rendit kushtetues”, “pengim të zbatimit të ligjit”, “mosbindje ndaj institucioneve shtetërore” dhe “shpërdorim të pronës publike”.
Puigdemont në tetor të vitit 2017 u arratis në Belgjikë. Gjykata e Lartë në Spanjë në fillim të javës lëshoi për herë të tretë një urdhër arresti në Evropë për Puigdemont.