Rruga “Rexhep Luci” në kryeqytet është liruar për qarkullim pas më shumë se katër orësh bllokimi. Forca të shumta të Policisë së Kosovës janë vendosur mëngjesin e sotëm në këtë rrugë, pasi kanë vënë shiritat, duke mos lejuar lëvizjen e veturave, por as të këmbësorëve.
Me këtë rast janë dhe disa nga kafeteritë e këtushme, duke shkaktuar pakënaqësinë e pronarëve. Por, pengesa për qarkullim kanë pasur dhe banorët, sikurse dhe të punësuarit që kanë zyrat në këtë rrugë.
Krejt kjo ka ndodhur me vendim të gjykatës me qëllim të “inskenimit” të rastit të vrasjes që kishte ndodhur gati tri vjet më parë në kafeterinë “Bon Vivant”, ku gjatë një përleshjeje ishte vrarë një person.
Mexhid Syla, avokat mbrojtës i Masar Gërdovcit i akuzuar për vrasje, ka sqaruar se çka ka ndodhur sot nga autoritete e rendit në vendngjarje.
“Sot është bërë rikonstruktimi i vendit të ngjarjes, verifikimi si ka ndodhur ngjarja, në bazë të deklaratave të akuzuarve, në bazë të deklaratave të dëshmitarëve. Prej orës nëntë kur kemi ardhur deri më tani është incizuar çdo gjë. Gjykata tani e përpilon procesverbalin, i cili iu dërgohet palëve; pastaj shpjegohen nga ekspertë e balistikës, ekspertët ligjorë, eventualisht ndonjë ekspert tjetër lidhur me ato prova dhe fakte që janë gjetur në vend të ngjarjes”, ka sqaruar Syla, për gazetarët.
Sipas tij, të akuzuarit vazhdojnë të mohojnë se e kanë kryer vrasjen. Ndërkohë, sipas tij mungesa e kamera të objektit po e vështirëson hetimin.
“Procesin e ka vështirësuar mungesa e kamerave të objekteve përreth… Problemi tjetër është se nuk janë marrë shenjat e gishtërinjve të personave të dyshuar dhe krejt këto e vështirësojnë situatën”, shprehet Syla.
Gjatë këtij aksioni në polici është shoqëruar edhe pronari i kafeterisë “Jurnal”, Naim Ramizi, nën dyshimet se ka lejuar gazetarët që të gjirojnë vendin e ngjarjes. Ai është mbajtur në polici për katër orë.
“Diku në ora tetë kanë ardhur Policia na kanë njoftuar që duhet të futemi brenda, t`i mbyllim dyert dhe se nuk mund të kryejmë shërbimin dhe punën tonë ditore”.
“Ndërkohë ka pasur gazetar që kanë ardhur brenda dhe kanë marrë pamje në vendin e ngjarjes për çka Policia ka ardhur dhe më ka shoqëruar dhe më ka mbajt katër orë në stacion duke më akuzuar mua… Në fund është vërtetuar se unë nuk kam bërë asnjë vepër penale duke thënë se gazetarëve nuk mund t’ua ndal askush qasjen për të ardhur deri te informacioni”, ka sqaruar Ramizi.
Rrahman Uka, punëtor i sigurimit në kafeterinë “Bon Vivant”, kishte mbetur i vrarë më 13 tetor të vitit 2014, pas një konflikti që kishte ardhur si pasojë e moslejimit të futjes në lokal të një personi.
Për këtë vrasje akuzohen dy persona, Masar Gërdovci dhe Sherif Krasniqi.