Sot, Lisa Magno bëri betimin si Drejtoreshë e misionit të USAID-it në Kosovë në një ceremoni të udhëhequr nga Ambasadori i ShBA-së në Kosovë Greg Delawie. Në këtë ceremoni, e cila për herë të parë mbahet në Prishtinë, morën pjesë Ndihmës administratori i USAID-it për Europë dhe Euroazi, Brock Bierman, Kryeministri Ramush Haradinaj si dhe zyrtarë të tjerë kosovar dhe të Ambasadës së ShBA-së në Prishtinë.
Në fjalën e tij, Ambasadori Delawie shprehu lëvdata për shkathtësitë profesionale të Magno-s të treguara gjatë mandatit të saj në Kosovë si Zëvendës drejtoreshë e misionit të USAID-it si dhe në punën e saj të mëhershme me USAID-in në Filipine, Guatemalë, Afganistan dhe më rishtazi në Uashington ku ajo shërbeu në cilësinë e Zyrtares mbikëqyrëse të programeve dhe Ushtrueses së detyrës së zëvendës administratores për Zyrën e Evropës dhe Evroazisë.
Ambasadori Delawie vuri në pah rolin e USAID-it në zhvillimin e Kosovës përmes partneriteteve të tij me Qeverinë e Kosovës dhe organizatat e shoqërisë civile për forcimin e sistemit politik dhe atij të drejtësisë në vend, ndërtimin e institucioneve stabile, nxitjen e një shoqërie civile dinamike dhe të zhvillimit ekonomik. Ai shtoi se sheh një të ardhme të ndritur për misionin e USAID-it në Kosovë nën udhëheqjen e Magno.