Lista Serbe iu reagon ndërkombëtarëve: Të verbuar nga dashuria për regjimin antiserb të Kurtit

Prishtinë | 08 Pri 2024 | 15:37 | Nga Ekonomia Online

Lista Serbe është shprehur e zhgënjyer me reagimin e përfaqësuesve ndërkombëtarë, pasi njoftuan dje se janë kundër votimit të 21 prillit, për largimin e mundshëm të kryetarëve shqiptarë nga katër komunat në veri të Kosovës.

Veçanërisht, Lista Serbe thotë se u zhgënjye me qëndrimin e ambasadorit të Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, të cilin e konsiderojnë si “të verbuar nga dashuria për regjimin autoritar antiserb të Albin Kurtit.

“Lista Serbe dhe populli serb janë të zhgënjyer me qëndrimin e përfaqësuesve ndërkombëtarë, sidomos me qëndrimin e ambasadorit gjerman Jorn Rode, të cilet janë verbuar nga dashuria për regjimin autoritar antiserb të Albin Kurtit nuk i shohin të gjitha lëvizjet e njëanshme te Prishtines qe sistematikisht shkelin të drejtat e popullit serb në Kosovë me qëllim spastrimin etnik perfundimtar të serbeve nga vatra shekullore”, thuhet në reagimin e partisë së dirigjuar nga Beogradi.

Lista Serbe thekson atë që kryetari i saj, Zlatan Elek e tha dje në një konferencë për media, se një votim i tillë është “i pamundur” dhe “jo i realizueshëm”, pasi sipas kësaj partie, i lë në pushtet kryetarët shqiptarë.

Ambasadorit Rohde, Lista Serbe i thotë se “është i informuar mirë për të gjitha pengesat dhe kurthet në procesin e sipërpërmendur”.

Lista Serbe ka shkruar disa pyetje që nisin me atë se “çfarë bënë përfaqësuesit e respektuar të QUINT-it për të sjellë de-përshkallëzimin e situatës në terren, siç premtuan në qershor në Këshillin Europian?” dhe “lidhur me respektimin e marrëveshjes së Brukselit dhe formimin e Asociacionit të Komunave Serbe”.

Lista Serbe ankohet se “regjimi në Prishtinë”, mori liberalizimin e vizave, ngriti bashkëpunimin me NATO-n dhe po anëtarësohet në Këshillin e Europës.

“Për shkak se janë verbuar nga ‘demokracia’ e regjimit në Prishtinë, perfaqësuesit ndërkombëtarë nuk janë të gatshëm të shohin gjithë këtë deshmi që si rezultat e patën vendimin tonë të qarte për të mos marrë pjesë në shfaqjet e regjimit të Albin Kurtit”, thuhet në reagimin e Listës Serbe.

Në fund të reagimit, Lista Serbe thotë se “nuk do të ushtrojë presion mbi serbët lidhur me këtë proces”.

Të ngjashme