Lista Serbe: Kemi presion nga ndërkombëtarët, por nuk e votojmë Demarkacionin

Prishtinë | 16 Mar 2018 | 13:17 | Nga

Lista Serbe ka reaguar edhe një herë për mundësinë që ta votojnë Marrëveshjen për Demarkacionin me Malin e Zi.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Dalibor Jevtiq, ka thënë se ditëve të fundit nuk ka pasur ndonjë takim me kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, shkruan RadioKim.

Jevtiq ka theksuar edhe një herë se Lista Serbe nuk ka interesim për temën e demarkimit të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, transmeton Lajmi.net.

“A kemi biseduar për këtë temë”? Po kemi biseduar për këtë temë. Përgjigja jonë ka qenë se aktualisht nuk na intereson, se kjo, fundja, nuk ka qenë temë e marrëveshjes sonë të koalicionit”, ka thënë Jevtiq.

Ky i fundit e ka pranuar se ka pasur edhe presione nga bashkësia ndërkombëtare që ta votojnë këtë Marrëveshje.

“A ka presione nga bashkësia ndërkombëtare? Po, ka presione, ajo kërkon që ne ta përkrahim këtë proces”, ka thënë zv. kryeministri i Kosovës.

Seanca për Demarkacionin është caktuar të mbahet të martën nga ora 16:00.

Haradinaj sot e konfirmoi që nuk kanë marrëveshje me Listën Serbe, por i bëri thirrje Visar Ymerit që deputetët e grupit të pavarur ta votojnë Demarkacionin.

Kryeministri tha se mungesa e deputetëve në seancë të martën e çon Kosovën drejt izolimit.

Të ngjashme