Demarkacioni me Malin e Zi nuk ka gjasë të kalojë pa votat e deputetëve të Listës Serbe. Këta të fundit votën e tyre pro po e kushtëzojnë me themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Koalicioni qeverisës nuk i ka votat e nevojshme në Kuvend për ta kaluar Marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi, pavarësisht se ajo është nënshkruar ditë më parë mes dy presidentëve, atij të Kosovës Hashim Thaçi dhe atij të Malit të Zi Filip Vujanoviq.
Seanca për votimin e Demarkacionit ishte planifikuar të mbahet sot në orën 14:00, por është shtyrë në afat të caktuar pasi koalicioni nuk i ka votat e nevojshme, pavarësisht mbështetjes nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), shkruan Zëri.
Lista Serbe nuk ka garantuar se do ta votojë Demarkacionin, duke i kushtëzuar votat e tyre me themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Ndërsa lëvizja “Vetëvendosje” e ka bërë të qartë se nuk do ta votojë Demarkacionin me Malin e Zi.
Kështu koalicioni qeverisës pa votat e Listës Serbe dhe të “Vetëvendosjes” besohet se nuk i ka më shumë se 77 vota për Demarkacionin, ndonëse për një marrëveshje të tillë ndërkombëtare duhen së paku 80 vota të deputetëve.