Lista Serbe tha se kryetar i Listës është Slavko Simiq dhe se Aleksandër Jabllanoviq është vetëshpallur kryetar, pa mbështetjen e deputetëve serbë.
Grupi i deputëve Lista Serbe dënoi “përpjekjen e re të një puçi politik të cilin kërkon të kryejë i vetëquajturi Aleksandar Jablanoviq”, për të cilin thuhet se që nga themelimi i Listës Serbe është “burim kryesor i konfliktit dhe shkaktar i ndarjeve”, raporton Tanjug.
“Ai u përpoq që të mashtrojë dhe të manipulojë Zyrën për regjistrimin e partive politike. Ne presim që së shpejti do të prononcohet detajisht edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i cili po e shqyrton dokumentacionin e rrejshëm të paraqitur në këtë Zyrë pa vulën dhe miratimin e përfaqësuesit të autorizuar të Listës Serbe, Slavko Simiq”, thuhet në deklaratë.
Në Listën Serbe thonë se është mjaft e qartë se, sipas vlerësimeve të tyre, fjala është për një “përpjekje të dëshpëruar që vullneti politik serb të vihet nën shkopin dirigjues të vullnetit personal të individëve, besnikë të atyre që mbështesin sulmet mbi interesat e popullit serb dhe kështu, për hir të interesave personale, të vonojnë më tej procesin e formimit të Bashkësisë së komunave serbe”.
“Jabllanoviq qe një kohë të gjatë është duke u përpjekur që me forcë dhe në bashkëpunim me një pjesë të autoriteteve më të larta në Prishtinë të marrë kontrollin mbi jetën politike dhe vullnetin e popullit tonë, duke bërë marrëveshje private me individë dhe intriga kundër interesave të popullit të vet, të gjithë qytetarët që jetojnë në Kosovë dhe madje edhe të ish kolegëve”, theksohet në deklaratën e Listës Serbe.
“Që nga themelimi i Listës Serbe, Jabllanoviq është burimi kryesor i konfliktit dhe shkaktarë i ndarjeve. Tani, kur është demaskuar plotësisht pas dëbimit nga Qeveria e Kosovë, po edhe nga Qeveria e Serbisë, po përpiqet që Listën Serbe t’a trajtojë si pronë personale dhe të thyejë unitetin e serbëve në institucione”, vazhdon deklarata e Listës Serbe.
Lista Serbe thkeson se Jabllanoviqi nuk ka kurrfarë mbështetje politike në popull, as aftësinë për të ndikuar në vullnetin e deputetëve të Listës Serbe, e cila do të vazhdojë të mbrojë popullin serb dhe organizimin tonë politik ndaj sulmeve kriminale dhe anti serbe.
“Jabllanoviq mundet, në qoftë se ai dëshiron, të bëjë një parti politike, por për sa kohë që zëri ynë mund të dëgjohet, nuk do të fshihet pas Listës Serbe. Aleksandar Jablanoviq mundet, nëse ai dëshiron, që të shesë edhe integritetin e tij edhe reputacionin edhe të parët, por interesat e popullit serb në Kosovë nuk janë për shitje”, thuhet në fund të deklaratës së Listës Serbe.