Fiks 25 mijë euro gjobë duhet të paguajë Lista Serbe, për videospotin elektoral me të cilin cenonte rëndë integritetin e shtetit.
Gjobën ia ka caktuar Paneli Zgjedhor për Ankesa e Parashtresa, ndërsa këtë në “Interaktiv” të KTV-së e ka treguar sekretari Mulë Desku.
“Ka qenë një shkelje e cila nuk e njeh integritetin e Kosovës. Ankesa ka qenë mjaftë e bazuar. Gjoba ka mundur të jetë edhe më e lartë, por Paneli ka vendosur asisoji”, ka treguar Desku.
I pyetur nëse për këtë spot do të mund të decertifikohej kjo parti, Desku ka thënë se nuk ka pasur bazë të fortë.
“Të gjitha opsionet janë diskutuar në PZAP, por nuk ka gjetur bazë të fortë për ta decertifikuar. Paneli ka vendosur që të shkojë me këtë gjobë, e cila thënë të vërtetën është mjaftë e rëndë dhe kjo le të shërbejë si masë disiplinuese për këtë Listë dhe për të tjerat që të mos përsërisin këso shkeljesh”, ka thënë Desku, pa dashur të paragjykojë nëse në rast se përsëritet Paneli do të mund të vendoste për decertifikim e përjashtimi nga zgjedhjet.
Deska ka treguar gjithashtu se Lista Serbe e ka apeluar këtë vendim të PZAP-së në Supreme.
“Gjykata Supreme e ka hedhur poshtë ankesën e saj, dhe ka vendosur njësoj si ne duke e mbajtur në fuqi dënimin”, ka thënë Desku.
Desku ka thënë se kjo parti ende nuk e ka paguar këtë gjobë, por njësoj ka thënë se kanë vepruar edhe partitë e tjera, të cilat nuk i kanë paguar dënimet.
Kujtojmë se Lista Serbe, me Ramush Haradinajn në krye të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e fillonte videon e fushatës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit. Nëpërmes asaj videoje, theksohej se vetëm Lista Serbe mund të parandalonte transformimin e FSK-së në ushtri.
“Zgjedhjet që po vijnë janë vendimtare për popullin tonë. Secila votë ka rëndësi që të parandalojmë formimin e të ashtuquajturës Ushtri të Kosovës në shtëpinë tonë, të mbrojmë institucionet e Republikës së Serbisë nga shuarja, të mbrojmë serbët e mbetur e të rrezikuar në Kosovë,” thuhej në video, për të cilën kishte raportuar KTV-ja.
Duke e quajtur Kosovën “shtëpia jonë”, në video thuhej se vetëm Lista Serbe e ka përkrahjen e Beogradit. Fushatën e Listës Serbe e kishte çelur edhe prania e shefit të zyrës për Kosovën në qeverinë serbe, Marko Gjuriq.