Serbia ka pak shanse që deri në fund të vitit 2018, në negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian të hapë kapitullin 31 – për politikë të jashtme, të sigurisë dhe mbrojtjes.
Gazeta serbe “Veçernje Novosti” raporton se Lituania kundërshton hapjen e këtij kapitulli për shkak të raporteve mes Serbisë dhe Rusisë.
Ministrja e Integrimit Evropian të Serbisë, Jadranka Joksimoviq tha për këtë të përditshme serbe se procedura e negociatave është e tillë në qoftë se një raport për kapitull nuk është miratuar deri në mes të vitit, atëherë ky kapitull vështirë se do të hapet deri në fund të vitit.
“Kapitulli i 31-të nuk ishte shumë i kërkuar, por pasi marrëdhëniet ndërkombëtare janë komplikuar dhe vetë vendet e BE-vetë duhet të pajtohen në mënyrë që të arrijnë konsensus për disa çështje”, tha ajo.
E pyetur nëse dikush tjetër përveç Lituanisë bllokon këtë kapitull, Joksimoviq tha se raporti i shqyrtimit për Kapitullin 31 është rast i mbyllur për diskutim ndërmjet anëtarëve të BE-së, transmeton Klan Kosova.