Liverpool ka vendosur për ndryshim në portë.
Që portieri është shumë i rëndësishëm në një skuadër, Liverpooli e di më mirë se kushdo, pasi dështoi të triumfojë në Ligën e Kampionëve, për shkak të disa gafave të gjermanit Karius, që mbronte katërkëndëshin në finalen ndaj Realit.
Pikërisht për këtë arsye, pasi kanë përforcuar skuadrën në repartet e tjera, “the reds” janë gati të bëjnë edhe një shpenzim të konsiderueshëm, për t’i vënë drynin portës dhe për të synuar trofe madhorë në sezonin e ardhshëm.
Anglezët kanë ofruar plot 75 milionë euro për të marrë portierin e Romës dhe kombëtares braziliane, Alisson Becker, ndërsa nga momenti në moment pritet edhe përgjigja pozitiva nga ana e drejtuesve të skuadrës italiane.
Mario Monchi e kishte theksuar shpesh se portieri do të largohej vetëm kundrejt 75 milionë eurove dhe tashmë nuk i mbetet gjë tjetër veçse të pranojë ofertën, ndonëse verdhekuqtë presin një “mësymje” të Chelseat, me një ofertë akoma më të lartë, transmeton “SS”.
Gjithsesi mediat italiane raportojnë se blutë e Londrës nuk kanë ndërmend të nxitohen në këtë drejtim, të paktën jo para se të përfundojnë shitjen e Courtois te Reali i Madridit dhe deri atëherë, Alisson do të jetë nisur për në Angli, me destinacion Liverpoolin.