Vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për taksë ndaj produkteve me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina për këta tre muaj, i ka shkaktuar humbje ekonomisë së Serbisë rreth 90 milionë euro.
Këtë e ka konfirmuar ministri i Tregtisë së Serbisë, Rasim Ljajic, i cili thotë se dëmi i kësaj takse do të jetë edhe më i madh nëse vazhdon edhe për një kohë më të gjatë.
Ai thotë se këtë situatë po e shfrytëzojnë prodhuesit nga vendet tjera, si Shqipëria dhe Sllovenia, për të shitur produktet e tyre në Kosovë.
Para vendosjes së taksës Lajic ka treguar se prodhuesit serb kishin shitur mallra në Kosovë në vlerë 33 deri në 36 milionë për një muaj.
Megjithatë Kosova insiston në mbajtjen e vendimit për taksën.
Bazuar në marrëveshjen e CEFTA-s, gjatë vitit 2017 Serbia ka eksportuar drejt Kosovës mallra në vlerë deri ne 439.5 milionë euro, ndërsa ka importuar vetëm 48.2 milionë.
Kryeministri Ramush Haradinaj në anën tjetër thotë se taksa do të hiqet vetëm kur Serbia ta njohë Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran.
Heqjen e taksës po e kërkon me ngulm Serbia dhe Bashkimi Evropian, si një kusht për rifillimin e negociatave për fazën finale në dialogun e Brukselit.