Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka reaguar me rastin e çështjes së reagimit të një familje rreth pronës, me ç’rast ka theksuar se “prona është e shenjtë, është e paprekshme, andaj, komuna dhe unë si kryetar, i qëndrojmë besnik këtij parimi me të gjitha mjetet ligjore.
Ashtu siç e kemi kujdes ruajtjen e pronës së komunës dhe shfrytëzimin e saj me ligj.” Z. Lladrovci ka shkruar po ashtu se “siç është e drejtë e patjetërsueshme e drejta për pronë dhe për protestë, njëkohësisht është i dënueshëm kërcënimi, mashtrimi dhe shpifja”.
Postimi i plotë i Ramiz Lladrovcit në Facebook:
Komuna e Drenasit dhe unë si Kryetar, respektojmë secilën formë të reagimit qytetar apo protestave. Gjithashtu, dua ta ripërsëris se prona është e shenjtë, është e paprekshme, andaj, komuna dhe unë si kryetar, i qëndrojmë besnik këtij parimi me të gjitha mjetet ligjore. Ashtu siç e kemi kujdes ruajtjen e pronës së komunës dhe shfrytëzimin e saj me ligj. Dua të informoj qytetarët se të gjitha procedurat e dhënies së pronës komunale në shfrytëzim që janë dhënë fundvitin e kaluar, kanë qenë transparente dhe në përputhje të plotë me Ligjin nr.06/L-092 për Dhënien në Shfrytëzim dhe Këmbimin e Pronës së Paluajtshme të Komunës dhe Rregullores (QRK) NR.09/2020 Për Përcaktimin e Procedurave të Dhënies në Shfrytëzim dhe Këmbimin e Pronës së Paluajtshme të Komunës. Vendimet e Kuvendit për pronat e deritashme kanë marrë vlerësimin e ligjshmërisë nga ana e Ministrisë së Pushtetit Lokal. Angazhimi im i mëtejmë i kthimit të pronës së uzurpuar komunale, vazhdon. Ashtu siç është e drejtë e patjetërsueshme e drejta për pronë dhe për protestë, njëkohësisht është i dënueshëm kërcënimi, mashtrimi dhe shpifja.