Me rastin e festës së 28 Nëntorit, kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci bashkë me kryetarin e Skenderajt, Bekim Jasharin, kanë bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, në Prekaz, raporton Ekonomia Online.
Lladrovci dhe Jashari kanë shprehur ngushëllime për viktimat e tërmetit të së martës që goditi Shqipërinë.
Kryetari i Komunës Skenderajt, Bekim Jashari, tha se kësaj here festat e Nëntorit po i gjejnë me zemër të thyer e shpirt të lënduar.
“Dy komunat bashkë filluam me homazhe për nderë të festave të nëntorit, “Nëntorit të Lavdisë”, kësaj here jemi me shpirt të lënduar e zemër të thyer për vëllezërit dhe motrat në Shqipëri, ne do të mundohemi që sadopak të bëjmë për ta që t’ia kthejmë atë që kanë bërë për neve në kohën e luftës. U uroj festën e shqiptarëve”, ka thënë Jashari.
Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, tha se edhe pse sot ka festë, mendja është me ato familje që kanë humbur më të dashurit e tyre.
“Është festa më e rëndësishme e kombit tonë. Sot jemi bashkë te dy komunat, ne bashkëndiejmë dhe i thërrasim të gjithë qytetarët për solidaritet për të gjithë ata vëllezër e motra që kanë humbur më të dashurit e tyre. Edhe pse ne jemi në festë me mendje jemi me ato familje që kanë humbur të dashurit e tyre”, tha Lladrovci, raporton EO.
Qytetari Kamer Hajdari tha se shpreson që së shpejti edhe parku dhe kullat do të rinovohen.
“Kjo ditë është festa për gjithë shqiptarinë. Është dita e Flamurit dhe ditëlindja e komandantit Adem Jashari, i cili sakrifikoj jetën dhe familjen për vendin tonë. Kompleksi është rregulluar mirë, parku e gjitha, besoj që së shpejti edhe kullat do të intervenohen”, u shpreh ai për Ekonomia Online.