Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka pritur sot në takim përfaqësuesit e Shoqatës Ekonomiko Kulturore “Qëndresa Kosovare” me të cilët ka biseduar për bashkëpunim të ndërsjellë për realizimin e projekteve, transmeton Ekonomia Online.
Sipas një komunikate për medie nga nga kjo komunë, drejtori i kësaj shoqate, Islam Cakaj, ka falënderuar kryetarin Lladrovci për takimin dhe ka treguar aktivitetet që zhvillon organizata që ai drejton.
Cakaj ka kërkuar nga komuna e Drenasit, sigurimin e një lokacioni për ndërtimin një qendre kulturore për gra dhe ka treguar se organizata “Qëndresa Kosovare” me seli ne Kuvajt është e interesuar ne shtirjen e bashkëpunimit në fushën e arsimit dhe shëndetësisë, konkretisht në ndërtimin e një shkolle dhe hapjen e puseve për ujë të pijshëm në institucionet arsimore e shëndetësore.
Kryetari Lladrovci ka falënderuar të pranishmit dhe ka informuar për mundësitë dhe resurset që ofron Komuna e Drenasit. Ai ka shtuar se Komuna e Drenasit është e gatshme në bashkëpunim, por paraprakisht ka thënë që të nënshkruhet memorandum i bashkëpunimit mes Komunës dhe OJQ-së “Qëndresa Kosovare” për t’i saktësuar projektet e përbashkëta dhe ka shtuar se Komuna është e gatshme për ofrimin e lokacionit për ndërtimin e qendrës kulturore për gra.