Inspektorët e Komunës së Drenasit ne bashkëpunim me Policinë e Kosovës gjatë një inspektimi në Komoran, në zonën e komasacionit ku janë të ndaluara punimet e vrazhda, për të tretën herë i kanë ndalur punimet ne një objekt dhe kanë vendosur shenjat zyrtare të ndalimit dhe të njëjtat janë larguar tri herë për të vazhduar punimet pa leje ndërtimi. Ndaj kësaj dukurie, kryetari i Komunës, Ramiz Lladrovci, ka kërkuar nga Prokuroria e shtetit dhe Policia që të respektojnë Ligjin, pasi që dëmtimi i shenjës zyrtare është vepër penale.
Ndonëse, edhe herëve të tjera ishin ndaluar punimet dhe ishte vendosur shiriti rreth ndërtimit pa leje, biznesit afër rreth rrotullimit në Komoran, përkatësisht në kilometrin e parë ne drejtim të Pejës, në anën e djathtë, ai nuk kishte respektuar urdhrat e inspektorëve dhe kishte larguar shenjat zyrtare.
Ndalimi i punimeve për këtë biznes nga inspektorati i komunës me asistimin e policisë, kishin nisur nga data 17.03.2017, ku ishin vendosur shenjat zyrtare (shiriti rreth objektit) për ndalimin e punimeve pa leje ndërtimi, mirëpo pronari serish kishte vazhduar. Me datën 19.03.2017 është konstatuar nga inspektoret se i njëjti ka larguar shenjen zyrtare dhe ka vazhduar punimet, me ç’rast inspektorët kanë hapur rast në Polici për dëmtim të shenjave zyrtare sipas nenit 414 KP-RKS, dhe po këtë ditë, inspektorët kanë vendosur serish shenjen zyrtare për ndalim të punimeve. I njëjti me datën 22.05.2017 serish ka larguar shiritin zyrtar dhe ka vazhduar punimet, ku inspektoret për të dytën herë i kanë hapur rast në polici me të njëjtat procedurë si më lartë dhe është vendosur sërish shiriti zyrtar për ndalim të punimeve.
Mirëpo sot me datën 29.05.2017 është konstatuar përsëri se pronari ka larguar shiritin zyrtar dhe ka vazhduar punimet. Është hera e tret që të njëjtit biznes i hapet rast në polici për dëmtim të shenjave zyrtare dhe vazhdim të punimeve pa leje për ndërtim dhe ndaj të njëjtit i është shqiptuar gjobë mandatore për ndërtimin pa leje.
Komuna e Drenasit, u bënë thirrje prokurorisë së shtetit dhe Policisë në Drenas që të marrin masa sipas ligjit për të gjithë ata të cilët dëmtojnë shenjat zyrtare dhe vazhdojnë punimet pa leje nderimi.
Po ashtu Komuna e Drenasit, njofton të gjithë ata të cilët kanë ndërtuar në pronën komunale dhe vazhdojnë të ndërtojnë, veçanërisht ata në zonën urbane, të mos vazhdojnë ndërtimet pa leje paraprake për ndërtim, të kundërtën të gjitha do të rrënohen, si ato që janë ndërtuar më herët ashtu edhe ato që janë duke u ndërtuar dhe kërkojmë nga qytetarët të mos e shfrytëzojnë parafushatën për t’i ikur ligjit.