Kandidati i PDK-së për kryetar të Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka thirrur një konferencë për media në të cilën ka shpalosur platformën e tij politike për udhëheqjen me këtë komunë.
Ai ka thënë se gjatë mandatit të tij, do të angazhohet për të përmirësuar jetën e qytetarëve të kësaj komune, duke shtuar se transparenca dhe llogaridhënia do të jenë pjesë kryesore e punës së tij.“Garantoj se llogaridhënia dhe transparenca do të jenë shtyllat e punës sime. Unë garantoj se çdo vendim në Komunën e Drenasit do të jetë i hapur edhe për pjesëtarët e shoqërisë civile.
Transparencës në institucionet lokale është parakusht për një komunë të zhvilluar dhe qeverisje që i përgjigjet qytetarëve dhe mban përgjegjësi para tyre”, ka pohuar ai.
Duke komentuar koalicionet që i ka arritur kundër kandidati i tij nga radhët e Nisma-s, Lladrovci tha se koalicion do të bëjë vetëm me qytetarin, duke u shprehur i bindur se në raundin e dytë që do të zhvillohet më 18 dhjetor do të shënojë fitore ndaj kandidatit të Nismaës, Isa Xhemajlaj, raporton Ekonomia Online.
Lladrovci, më tutje, ka renditur disa nga prioritetet e qeverisjes së tij:
1. Buxheti i Komunës së Drenasit do të jetë një buxhet i qytetarëve. Ky buxhet do të bëhet duke shkuar lagje për lagje dhe duke marrë rekomandimet dhe nevojat e qytetarëve.
2. Buxhetin do ta hartojmë bashkë me qytetaret dhe investimet do të ndjehen nga të gjithë qytetarët e Komunës sonë.
3. Shpenzimet e Komunës do të jenë transparente dhe unë do të publikoj çdo 3 muaj shpenzimet komunale që qytetari ta shohë se ku janë shpenzuar paratë e tyre. Në këtë mënyrë, do ta bëjmë Komunën e Drenasit shembull të transparencës.
4. I gjithë procesi i prokurimit publik do të jetë i hapur për monitorim nga pjesëtarët e shoqërisë civile dhe të gjithë ata që janë të interesuar ta monitorojnë këtë proces, do të jenë të mirëseardhur.
5. Kontratat qe do të lidhen me çdo kompani, do të publikohen në webfaqe të Komunës, së bashku me përshkrimin e punës.
6. Në 3 muajt e parë të qeverisjes sime, do ta instaloj në Drenas prokurimin elektronik, me qëllim të rritjes së transparencës dhe llogaridhënies.
7. Planet rregullative do te bëhen me pjesëmarrjen e qytetarëve në lokalitetet ku jetojnë. Planet rregullative do të jenë në harmoni me nevojat e qytetarëve për një jetë kualitative.
8. Do t’u themi stop uzurpimeve dhe çdo uzurpator do të largohet, për t’ju kthyer prona Komunës ose qytetarit qe i takon.
9. Punësimi në institucionet e Komunës do të bëhet me mbikëqyrjen e Organizatave Joqeveritare, në mënyrë që punësimi të bëhet me merita dhe me kualifikimin e duhur.