Kryetari i komunës së Drenasit Ramiz Lladrovci, ka komentuar zhvillimet e sotme në Kuvend, duke potencuar se “mosreagimi me kohë ndaj çdo shpifje kundër UÇK-së, solli edhe degradimin institucional”.
Lladrovci ka theksuar po ashtu se “kushdo që ka pësuar nga okupatori serb, nuk e ka të drejtën që familjen e vet ta vendosë mbi Kosovën dhe interesin nacional, e as të bëj gabime në saje të kësaj sakrifice, sepse vet heronjtë dhe dëshmorët e patën më të vlefshme Kosovën dhe kombin se fatin personal apo familjar. Kjo duhet të vlejë edhe për Donikën, edhe për Sarandën dhe kushdo që ishte dhe është i goditur nga okupatori serb!”
Postimi i plotë i Lladrovcit:
Mosreagimi me kohë ndaj çdo shpifje kundër UÇK-së, solli edhe degradimin institucional. Ky degradim nuk ka filluar sot.
Për fat të keq, bija e atdhetarit dhe ideologut të shquar, kishte një mal me argumente për adresim në OKB, e ktheu tehun e goditjes nga nuk ishte as prioritet, as e drejtë jo vetëm diplomatike, por as politike e humane ndaj qytetarëve të Kosovës.
Sot, akuzat e fushatave politike u bënë padrejtësisht agjendë kuvendore dhe fjalëve pa argument, me njollosje dhe fyerje të cilat do t’ia kishin lakmi edhe armiqtë tanë.
Për fat të keq, edhe udhëheqësja e Seancës parlamentare nuk ishte në nivel të detyrës, sepse Qeveria nuk qëndron mbi Kuvendin, në asnjë rast.
Kushdo që ka pësuar nga okupatori serb, nuk e ka të drejtën që familjen e vet ta vendosë mbi Kosovën dhe interesin nacional, e as të bëj gabime në saje të kësaj sakrifice, sepse vet heronjtë dhe dëshmorët e patën më të vlefshme Kosovën dhe kombin se fatin personal apo familjar.
Kjo duhet të vlejë edhe për Donikën, edhe për Sarandën dhe kushdo që ishte dhe është i goditur nga okupatori serb!