Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, sot zyrtarisht ka marr lajmin nga Këshilli për Investime se ka kaluar projekti për ndërtimin e Ujëmbledhësit të Drenasit, i cili do të akumulojë ujë për pije për mbi 40 mijë qytetarë të komunës së Drenasit.
Lladrovci e ka quajtur këtë një lajm të jashtëzakonshëm për qytetarët e komunës.
“Sot, mora konfirmimin zyrtar nga Këshilli për Investime, se Komuna e Drenasit do ta ketë liqenin e vet artificial, ujëmbledhësin që është planifikuar të ndërtohet në Vërboc”, ka shkruar Lladrovci në faqen e tij në Facebook.
“Falënderoj të gjithë bartësit e përgjegjësive të nivelit qendror dhe zyrtarët komunal për punën në këtë projekt, përkrahjen e këtij projekti, për këtë sukses që Drenasit dhe Drenicës, i ofrohet një portë e re për zhvillim dhe ngritje e mirëqenies së qytetarëve”.
“Ky është projekt madhor dhe me rëndësi strategjike, së pari sigurohet uji i pijes për Drenas dhe disa fshatra të Drenicës, por përfiton edhe bujqësia, turizmi e fushat tjera prodhuese dhe shërbimeve”, ka theksuar kreu i Drenasit.
Ky projekt, sipas Lladrovcit, do të ndikojë në ngritjen e cilësisë së jetës, po ashtu, edhe në hapjen e vendeve të reja të punës. “Faleminderit të gjithë kontribuuesve për këtë projekt! Gëzuar qytetarë të Drenasit!”