Lladrovci priti në takim zëvendëspresidentin e Parlamentit Evropian, Rainer Wieland

Prishtinë | 27 Shk 2020 | 20:26 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci së bashku me stafin e tij, ka pritur në takim qytetar nderin të Drenasit, Ranier Wieland dhe delegacionin gjerman, Joachim Wolf, kryetar i qytetit të Korntal-Munchingen, Rudolf Matkovic, drejtor menaxhues i EDEKA Sudwest, Kerstin Zielosko, shefe e Arsimit të pakufizuar në Ministrinë e Kulturës në Gjermani dhe Angela Schweizer, referente në zyrën e Wielandit.

Fillimisht, kryetari Lladrovci, delegacionin gjerman të kryesuar nga Wieland e ka pritur në takim së bashku me stafin e tij, ku i ka njoftuar për të arriturat dhe sfidat e qeverisjes lokale, investimet kapitale, projektet që do të realizohen gjatë këtij viti nga buxheti i komunës, projektet nga niveli qendror dhe nga investimet e huaja, për funksionimin e shkollave, Qendrave të Mjekësisë Familjare, transparencën komunale dhe ka treguar për mundësitë që ofron Komuna e Drenasit në zhvillimin ekonomik dhe lehtësirat e të bërit biznes nga bizneset e huaja.

Kryetari Lladrovci ka falënderuar zëvendëspresidentin Wieland dhe delegacionin e tij, dhe ka thënë se bashkëpunimi mes shtetit gjerman do të vazhdoj për shkëmbimin e përvojave si në administratën komunale, ashtu edhe në mes të nxënësve të Drenasit dhe atyre gjerman.

Delegacioni gjerman, ka mbajtur edhe një debat me anëtarët e Kuvendit të Komunës me temën qeverisja lokale, ku të pranishmëve i është drejtuar zëvendëspresidenti i Parlamentit Evropian, Ranier Wieland i cili ka folur për politikat e BE-së dhe rolin e Parlamentit Evropian karshi Kosovës.

Kryetari i qytetit të Korntal-Munchingen, Joachim Wolf, ka treguar për qeverisjen që ai e udhëheq në këtë komunë dhe format e të bërit biznes dhe ka ndarë përvojat me ekzekutivin dhe legjislativin e Komunës.

Ndërsa, Rudolf Matkovic, drejtor menaxhues i EDEKA Sudwest, i cili ka mbi 50 mijë punëtorë në këtë ndërmarrje me 150 dyqane dhe mbi 9 miliard euro qarkullim në vit, ka paraqitur përvojat e tij të bërit biznes, mundësitë dhe përparësitë që ofron Gjermania, ndërsa ka shtuar se do të shikoj mundësitë për zgjerimin e biznesit edhe në Kosovë.

Anëtarët e Kuvendit të Komunës së Drenasit të pranishmëve i kanë adresuar pyetje rreth qeverisjes lokale dhe zhvillimin e biznesit, ku delegacioni gjerman është përgjigjur në secilën pyetje të parashtruar nga ta.

Paraprakisht, delegacioni gjerman, kanë vizituar edhe Gjimnazin “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu” dhe nxënësit e kësaj shkolle, ku këta të fundit para tyre kanë paraqitur edhe disa projekte inovative që kanë krijuar vetë nxënësit si dhe linçimin e ueb faqes së shkollës.

Në shenjë respekti dhe bashkëpunimi, Kryetari Lladrovci, iu dhuroi varëse unike të punuara nga gratë e Qendrës për Promovimin e të Drejtave të Grave në Drenas. Ndërsa, edhe artisti Besart Gashi i dhuroi një punim të realizuar në dru zëvendëspresidentit Wieland, në shenjë mirënjohje për kontributin e tij në Kosovë.

Ndryshe, Komuna e Drenasit, ka bashkëpunim disa vjeçar me shkollat gjermane, ku nxënësit e Drenasit kanë vizituar disa herë shkollat ne gjermani dhe nxënësit nga disa Komuna gjermane kanë vizituar shkollat në Drenas.​

Të ngjashme