Privatizimi i ndërmarrjeve shoqërore në Kosovë i filluar si proces në vitin 2003 nuk ka rezultuar me ringjallje dhe zhvillim biznesi për shumë prej tyre. Dy nga shembujt më të ‘këqij’ të privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore në Kosovë konsiderohet të jenë ndërmarrja e llamarinës Llamkos dhe Hoteli Grand.
Të dy nga këto ndërmarrje të cilat u privatizuan në valët e para të procesit të privatizimit nuk kanë arritur të tregohen të suksesshme në afarizmin e tyre.
Llamkos dhe Hoteli Grand u privatizuan me metodën e spin-off-it special që nënkupton se blerësi nuk ka të drejtë t’ua ndërrojë destinimin, gjithashtu duhet të punësojë një numër të caktuar të punëtorëve dhe të realizojë investime të reja.
Valon Tolaj, drejtor menaxhues në Agjencinë Kosovare të Privatizimit, thotë për Radion Evropa e Lirë se Llamkosi është në procedurë të falimentimit dhe se AKP nuk kompetencë ligjore mbi Llamkosin, derisa Hoteli Grand është në procedurë të likuidimit.
“Të dyja këto ndërmarrje kanë qenë të privatizuara nga Agjencia Kosovare e Mirëbesimit dhe AKP si trashëgimtare ka pasur për obligim që t’i mbikëqyrë zbatimin e kontratave të privatizimit dhe për shkak të moszbatimit të kushteve të kontratës, AKP ka qenë e detyruara që të bëjë tërheqjen e aksioneve. Si pasojë e kësaj, të dy ndërmarrjet kanë shkuar në proces të likuidimit. Hoteli Grand qysh tani është i gatshëm të privatizohet edhe pse është në procedurë të likuidimit, ndërsa sa i përket Llamkosit lidhja e AKP-së me Llamkosin ka përfunduar në momentin e shitjes”, thotë Tolaj.
Fabrika Llamkos, gjendet në Vushtrri dhe ajo është e destinuar për përpunimin e llamarinës. Fabrika është projektuar që të prodhojë mbi 120,000 tonë të llamarinës se zinkuar për vit.
Kjo ndërmarrje ishte privatizuar dy herë nga Agjencia Kosovare e Privatizimit.
Herën e parë është privatizuar në vitin 2005, më metodën e spin-off-it special, kurse në vitin 2009 AKP kishte bërë tërheqjen e aksioneve nga blerësi për shkak të mospërmbushjes së obligimeve kontraktuale.
Përpjekja tjetër ishte realizuar në vitin 2011, kur kjo ndërmarrje ishte blerë nga një kompani angleze. Por, as kjo kompani nuk ka përmbushur obligimet dhe si rrjedhojë, që nga viti 2015 kjo ndërmarrje është në procedurë të falimentimit.
Janë rreth 500 punëtorë të cilët kanë mbetur pa punë tash e katër vjet, të cilët madje pretendojnë të jenë kreditorë, pasi menaxhmenti i kompanisë u ka mbetur borxh 10 paga ose në total 750 mijë euro.
Enver Isufi, anëtar i Sindikatës se Punëtorëve të kësaj kompanie ka treguar për Radion Evropa e Lirë, se punëtorët janë në pritje të shpagimit të borxhit, por që ende nuk kanë informata se kur do dal për likuidim kjo ndërmarrje.
“Nuk i kemi marrë pagat, fabrika nuk ka dal në shitje dhe as pronari më nuk është paraqitur. Nuk kemi informata as nga Gjykata dhe administratori i caktuar për këtë çështje nuk na ka kontaktuar. Kemi mbetur në pritje të ndonjë vendimi”, thotë Isufi.
Në anën tjetër, Virtyt Ibrahimaga, administrator i Llamkosit, i caktuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës, pati thënë për Radion Evropa e Lirë se gjykata është duke i shqyrtuar kërkesat e kreditorëve dhe shpejtë pritet që të kompania të kalojë në proces të likuidimit dhe më pas punëtorët dhe kreditorët tjerë të marrin paratë e tyre.
Ibrahimaga tregon se borxhi i përgjithshëm i kompanisë “Coresteel”, kompani kjo e cila kishte blerë Llamkosin, ndaj kreditorëve përfshirë edhe punëtorët është mbi katër milionë euro.
Hoteli Grand ishte privatizuar në vitin 2006 në një vlerë prej mbi 8 milionë euro dhe një kontratat që obligonte blerësin e Hotelit Grand që të bënte investime në vlerë prej mbi 20 milionë euro dhe të punësonte 570 punëtorë.
Por, mosrealizimi i zotimeve, nga ana e blerësit bëri që kjo ndërmarrje shoqërore të hynte në paqartësi ligjore në mes blerësit të Hotelit Grand, Zylqif Berisha pronar i kompanisë NTP ‘Unio Commerce’ dhe AKP-së.
Agjencia Kosovare e Privatizimit në vitin 2012 tërhoqi aksionet në ndërmarrjen e re Grand Hotel dhe ktheu këtë ndërmarrje nën administrimin e vet.
Përfaqësuesit e Agjencisë Kosovare të Privatizimit konsiderojnë se lidhur me Hotelin Grand, të gjitha procedurat gjyqësore lidhur me këtë veprim ligjor të AKP-së kanë përfunduar me vendime gjyqësore përfundimtare në favor të Agjencisë Kosovare të Privatizimit.
Valon Tolaj, drejtor menaxhues në Agjencinë Kosovare të Privatizimit thotë se Hotel Grand është i gatshëm për t’u ofruar për privatizim, qoftë edhe përmes Ligjit për investime strategjike.
“Hotel Grand qysh tani është i gatshëm të privatizohet edhe pse është në procedurë të likuidimit. Ne po tentojmë të gjemë mënyrë më të mirë që t’i japim vlerë më të madhe përmes Ligjit për investime strategjike. Ne i kemi dërguar të dhëna Qeverisë së Kosovës për Hotel Grand dhe presim që të kemi investitorë nga fusha e hotelerisë ”, thotë Tolaj.
Sidoqoftë, beteja për Grandin nuk konsiderohet e humbur për blerësin e këtij Hoteli, Zylqif Berisha. Ai pretendon se tërheqja e aksioneve që bëri AKP, është bërë në mënyrë të padrejtë dhe se askush nuk mund të privatizojë Hotelin Grand.
“Procesi gjyqësor rreth Hotelit Grand është duke vazhduar dhe se askush, asnjë institucion, nuk mund ta vendosë këtë objekt në riprivatizim apo siç është thënë t’ua ofrohet investitorëve privatë përmes Ligjin për investime strategjike. Unë dua vetëm drejtësi në këtë proces. Ne ju themi të gjithëve të mos nguten me vendime për Hotelin Grand, duhet të priten vendimet e gjykatës”, ka thënë Berisha për Radion Evropa e Lirë.
Hoteli Grand, krahasuar me të kaluarën, është pothuajse jashtë veprimtarisë për të cilën ishte destinuar në kohën kur u ndërtua 40 vjet më parë, në vitin 1978.
Aktualisht, në hapësirat e Hotelit Grand operojnë biznese të ndryshme, duke filluar nga shtëpi mediale, zyra për shërbime të ndryshme ligjore, të kontabilitetit, organizata të huaja, aparate bankare, hapësira reklamuese, lojëra të fatit e shërbime medicinale.