Drita është kampione në fuqi e Kosovës në futboll, por nuk po ngjall shumë frikë te skuadrat që synojnë ta zëvendësojnë atë në fund të edicionit 2018/19. Kështu te Llapi vlerësojnë se barazimi eventual ndaj kampiones do të ishte rezultat jo i suksesshëm.
Llapi e pret Dritën të shtunën (sot, 13:30) në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, në derbin e javës së 15-të të Superligës së Kosovës në futboll.
Llapi është i treti me 26 pikë, ndërsa ka mbetur prapa dy skuadrave lidere, Prishtinës e Feronikelit. Prishtina prin me 33 pikë, kurse Feronikeli është i dyti me 32. Drita është e katërta, por ka katër pikë më pak se llapjanët, transmeton Koha Ditore.
22 pikë sa Drita i ka edhe Flamurtari në vend të pestë. Por për dallim nga Prishtina, Feronikeli, Llapi e Drita, Flamurtari nuk vlerësohet me potencial për të fituar titullin e kampionit.
“Në ndeshjen kundër kampiones në fuqi ne do të kërkojmë fitoren. Nuk do të jetë e lehtë. Drita ka grup të lojtarëve me përvojë dhe individë të shkëlqyer. Prandaj ne jemi maksimalisht të motivuar për sukses. Çdo rezultat përveç fitores do të ishte josukses për Llapin, pavarësisht se takohemi me kampionen në fuqi”, ka thënë të premten trajneri i Llapit, Bekim Shotani.