Është lansuar Rrjeti i Bizneseve për Energji të Pastër (N4CEB), raporton Ekonomia Online.
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, tha se krijimi i këtij rrjeti u jep mundësi bizneseve që të zhvillohen derisa e quajti iniciativë të qëlluar.
“Sa i përket tranzicionit të energjisë mbetet sfidë kryesore edhe pse Kosova historikisht 97 për qind e ka pasë energjinë me thëngjill dhe e bën të vështirë energjinë e pastër. Kemi hyrë në marrëveshje ndërkombëtare për t’i përmbushur kriteret e direktivave. Sa i përket energjisë së ripërtërishme kemi plotësuar një numër të madh të direktivave”, tha Lluka.
“…Kemi 7 hidrocentrale, dy me erë. Këto kanë një kapacitet 77 megavat që është i vogël me nevojat e vendit. Por 22 gjeneratorë janë në proces të ndërtimit. Kemi dhënë edhe licencën për rregullatorin energjetik tek një kompani gjermane. Ka pasur sfida me financim, por Kosova ka arritur marrëveshje me të cilën Banka Evropiane për rindërtim dhe avancim i ka ndihmuar Kosovës për energji dhe kjo jep qasje për financa. 220 milionë do investohen në energji të ripërtërishme pra vetëm në Kosovë. Janë dy sfidat më të rëndësishme, përmbushja e targetave që dalin në energji të ripërtërishme dhe kalimi nga procedura me autorizim në procedura me ankand. Një target tjetër sfidues është plani për efiçiencë të energjisë”.
Ambasadori gjerman në Kosovë, Christian Heldt, tha se përdorimi i madh i energjisë nga amvisëria paraqet shqetësim për bizneset, pasi sipas tij kjo fushë ndikon në krijimin e vendeve të punës.
“Në Kosovë afër 60 për qind e energjisë përdoret në amvisëri dhe përdorin dyfish më shumë energji se mesatarja e BE-së, kjo është shqetësim për amvisëritë private, por edhe për bizneset. Ka të bëjë me mundësitë në punësim, masat që kanë të bëjnë me burimet e ripërtërishme dhe efiçienca e energjisë kanë krijuar shumë vende pune në Gjermani”, tha ai, raporton EO.
Ai tha se shumëçka në Kosovë mund të zhvillohet nëse punohet, duke përmendur intensitetin e energjisë diellore të cilën e krahason me Gjermaninë.
“Kosova ka dy herë më shumë intensitet të energjisë diellore se Gjermania. Me potencialin që ka Kosova në fushën e burimeve të ripërtërishme dhe efiçiencën e energjisë nganjëherë është problem të jesh vend i vogël, shumë gjëra këtu mund të zhvillohen në mënyrë dinamike nëse punohet. Ka shumë fusha ku Kosova është zhvilluar shumë”, tha ajo, raporton EO.
Nora Hasani, drejtoreshë e Odës Ekonomike Gjermane, tha se qëllimi i këtyre rrjeteve është që të sillen bizneset dhe të konkurrojnë mes vete.
Ajo shtoi se ky rrjet do shërbejë që të jepen rekomandime që të arrihen targetet në fushën e energjisë.
“Të gjitha kompanitë që duan të jenë pjesë e rrjetit do ta përdorin atë për të zhvillu koncepte, por edhe të japim rekomandime se si mund ta kanalizojmë zërin e sektorit privat që ta ndihmojmë edhe qeverinë që të hartojë kornizën për të arritur targetet në efiçiencë të energjisë dhe në energji të ripërtërishme”.
N4CEB u organizua nga Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare (KDËV) në bashkëpunim me Qeverinë Gjermane përmes Projektit për Efiçiencë të Energjisë në Kosovë, Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH.