Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka raportuar në Komisionin për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Medie, lidhur me çështjen e digjitalizimit të transmetimeve radiodifuzive tokësore, raporton Ekonomia Online.
Kryetari i komisionit, Nait Hasani, ka thënë se Kosova është e fundit në rajon që po merr pjesë me çështjen e digjitalizimit.
“Prej kur është miratuar,nuk është ndërmarrë më asgjë. Jemi keq në këtë fushë sepse nuk kemi mundësi ta bëjmë digjitalizim sepse as nuk kemi buxhet, as nuk kemi më mundësi me u kry ky digjitalizim. Jemi në rajon të fundit që marrim pjesë në këtë çështje”, ka thënë Hasani.
Ministri Lluka, ka thënë se fajtor për bllokimin e këtij procesi është KPM ndërsa shtoi se mos dorëheqja e KPM-së nga ky proces ka bërë që ministria të mos mund ta funksionalizojë atë.
“Sipas nenit 47 për Komisionin e Pavarur të Medieve parashihet se kjo do të rregullohet me ligj të veçantë. MZHE-ja ka kryesuar grupin punues ku kanë marrë pjesë edhe grupet e interesit, i gjithë procesi është zhvilluar konform rregullores. MZHE-ja si sponzorizues ka bërë edhe amendamente. Sidomos ka të bëjë me ndryshimin e komisionit mbikëqyrës. Ne vlerësojmë se adresa për zbatimin apo moszbatimi duhet kërkuar në relacion Kuvend-Komision Mbikëqyrës për Media”, ka thënë ministri Lluka.
Ai tha se KPM-ja ka formuar komision Mbikëqyrës që ka kryesuar procesin dhe dy anëtar janë nga KPM-ja dhe dy nga MZHE-ja.
“MZHE-ja nuk është e kënaqur për moszbatimit e ligjit dhe e bën fajtor dhe përgjegjëse KPM-në”, ka thënë Lluka, raporton EO.
Anëtarja e komisionit, deputetja e PSD-së, Shqipe Pantina, nuk u pajtua me ministrin Lluka. Tha se Qeveria do të duhej ti ndante mjetet për digjitalizim.
“Nuk do pajtohesha me ju se për shkak të lobimit KPM-ja ka marrë përgjegjësi. Në këtë rast ju jeni pjesë e qeverisë, qeveria si organ kolegjial mendoj se nuk i ka kry disa detyra, një prej tyre është miratimi i strategjisë. Mendoj se një herë është dashtë të bëhet strategjia e pastaj të votohet ligji. Qeveria ish dashtë me i nda mjetet për digjitalizim. A duhet qeveria me financu nga buxheti saj, apo me i leju KPM-së disa forma të tjera financimi. Nuk i kanë krejt fajet ata”, ka thënë Pantina.
Xhevahire Izmaku, deputet e PDK-së dhe anëtare e këtij komisioni, tha se është shqetësuese neglizhenca për miratimin e strategjisë.
“Pak është shqetësuese neglizhenca me miratimin e strategjisë. Nëse nuk e diskutoni ju në qeveri, ska me i ra në mend askujt me e diskutu”, ka thënë Izmaku.
Deputeti i Vetëvendosjes, Adem Mikullovci ka shprehur skepticizëm se do të mund të bëhet digjitalizimi me pajisjet që kanë televizionet në vend.
“Pajisjet me të cilat punojnë televizionet tona është vështirë me këto pajisje të bëhet digjitalizimi. Cilësia nuk është kërkund hiç”, ka thënë ai, raporton EO.
Deputeti Milaim Zeka, tha se digjitalizimi do të kushtojnë 15-deri ne 20 milionë euro.
“E di që digjitalizimi do të kushtojë 15-20 milionë euro. Pavarësisht nga këto janë para të mëdha. A e merrni ju përgjegjësinë sepse KPM-ja nuk mundet me bë pa pas vullnet qeveritar. Kuvendi s’mundet me e marrë atë, prandaj duhet me marrë qeveria nëse duam të kemi digjitalizim”, tha ai.
Aty prapë flajën e mori kryetari i komisionit, Nait Hasani. Ai e pyeti ministrin Lluka se aka mundësi qeveria të ndajë mjete për digjitalizim.
“Cilat janë mundësitë që të arrijmë hapin për digjitalizim. A ka mundësia që qeveria të ndajë vet buxhet apo duhet të lejohet KPM-ja të marrë kredi brenda mundësisë së vet”, ka pyetur Hasani.
E, në lidhje me këtë u përgjigj ministri Lluka.
“Në momentin që kam ardh në ministri nuk jam marrë me të për shkak të mos definimit të punëve. Parimisht ne jemi të gatshëm dhe ka qenë kërkesë që ne me marrë menaxhimin për këtë, por kjo varet sepse mund të ndryshohet ligji. Të gjitha pajisjet duhet me u ndërruar, por nuk ka kushte. Ajo ka një kosto, por kosto që duhet me u bë nëse dëshirojmë me qenë në trend me Evropën duhet me liru frekuenca dhe me i nda me KPM-në”, tha Lluka.
Agim Kukaj, anëtar i komisionit mbikëqyrës, ka thënë se problemi i vazhdueshëm po qëndron tek KPM-ja e cila sipas tij nuk po lejon që MZHE-ja ta marrë në dorë këtë projekt.
“Ligji e ka parapa që frekuencat të ndahen me tender. Pa frekuenca nuk mund të ndërtohet rrjeti. Ne nuk kemi pas model tjetër në atë kohë, në atë kohë kemi qenë duke e shitë valën. Prej 2015 gjërat kanë ndryshuar, jemi me kabëll dhe është i njëjti treg i televizioneve. KPM e kanë një farë iluzioni që qeveria do ta mbuloj këtë shpenzim”, tha Kukaj.
Deputeti Milaim Zeka tha se janë disa detaje të cilat do të duhej të diskutoheshin me dyer të mbyllura, pa praninë e medieve.
“Janë disa detaje që do duhej ti flisnim me dyer të mbyllura. Jam i vetmi deputet që publikisht kam thënë se është faji i KPM-së. Po lus ministrin dhe qeverinë me e marrë përgjegjësinë, e di që edhe RTK-ja ka oreks me e marrë këtë punë”, tha Zeka.
Ai ka thënë se derisa nuk ka prokurori nuk ka kush e merr përgjegjësinë.