Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka po merr pjesë në konferencën për ekonomi mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, e cila po mbahet në Malin e Zi me ministrat ekonomik të 6 vendeve, me ç’rast njoftoi të pranishmit për zhvillimet në fushën e ekonomisë që po bëhen në Kosovë.
Ministri Lluka në këtë konferencën, shpalosi projektet të cilat është duke i implementuar Qeveria e Kosovës në fushën e energjisë, minierave, teknologjisë informative dhe komunikimit, por me theks të veçantë projektin “Kosova e Re”. Ndër të tjera ministri Lluka tha se këto projekte do të përmirësojnë klimën ekonomike në vend, e po ashtu janë projekte që do të sigurojnë investime të jashtme.
Kreu i MZHE-së njoftoi pjesëmarrësit se Kosova është vendi më rritjen më të lartë ekonomike në regjion me rreth 3.5% në vit, gjithsesi nënvizojë faktin se për të qenë në ritëm me vendet e BE-së, duhet rritje më e lartë ekonomike, po ashtu veçoi se Kosova ka stabilitet makro financiar dhe borxh të ulët publik.
“Kemi shumë punë për të bërë që kjo ide të funksionojë, duke filluar me heqjen e barrierave në lëvizje të lirë të njerëzve dhe mallrave, njohjen reciproke të certifikatave të ndryshme për eksport/import dhe rritjen e investimeve në infrastrukturë ku Kosova është përpara të gjithëve në relacion të interkontektivitetit pasi që ka investuar në infrastrukturë rrugore duke e lidhur Kosovën me Shqipëri, Maqedoni dhe Serbi. Tashmë ka filluar projekti edhe në hekurudhë ku do të lidhet Kosova me Maqedoni dhe Serbi”, u shpreh Lluka
Gjithashtu, Lluka ishte kritik ndaj thuajse të gjitha vendeve të regjionit të cilat nuk janë duke bërë mjaftueshëm përparime për një integrim më të mirë ekonomik të Ballkanit, duke theksuar se Kosova është e vetmja që ka ndërtuar infrastrukturë rrugore ndërlidhëse me këto vende.