Lluka: Moszbatimi i marrëveshjes me Serbinë po na pengon në integrimin me Shqipërinë dhe rajonin

Prishtinë | 10 Maj 2018 | 11:17 | Nga Mehmet Krasniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Konsorciumi Kosovar i Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID) ka mbajtur diskutim publik me temën “E ardhmja e sektorit të energjisë në Kosovë”.

Në diskutim ka marrë pjesë edhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, i cili ka thënë se sfida më e madhe e Kosovës është moszbatimin i marrëveshjes me Serbinë në sektorin e energjinë.

Lluka shtoi se kjo pengon integrimin e tregut të Kosovës me tregun e Shqipërisë dhe rajonit, raporton Ekonomia Online.

“Energjia ka shumë sfida të mëdha. Në mbi 40 vite s’kemi pasur investime sa i përket gjenerimit. Janë ndotës të mëdhenj, për shkak të termocenteleve. Furnizimi nuk është stabil, kemi kohë pas kohe rënie të blloqeve dhe rrjedhimisht kemi humbje. Masat e eficiencës kanë qenë të limituara. Vazhdojmë të kemi humbje teknike dhe komerciale të larta, sidomos kyçjet ilegale, vjedhje e energjisë. Nuk duhet të qëndrojmë indiferent ndaj kësaj situate. Kemi plan afatgjatë, duhet ta mbyllim Kosovën A, i cili duhet të zëvendësohet me kapacitet të ri, duhet të investohet në rehabilitimin e Kosovës B”.

“Në fund të vitit presim të kemi 105 megavat funksionale. Energjia e ripërtëritshme ka sfida për shkak të deponimit, dhe shkakton probleme në kontrollin energjetik. Sfida më e madhe është raporti me Serbinë në energji. Ta zgjidhim sa më shpejt këtë problem. Moszbatimi i marrëveshjes po na pengon në integrimin me Shqipërinë dhe rajonin”.

Ministri Lluka tha se ka hapësirë edhe për energji nga qymyri, por edhe nga energjia e ripërtëritshme, raporton EO.

Lluka bëri të ditur se do të ndërtohet një park solar, i cili, sipas tij, do të sjellë 600 megavat energji të ripërtëritshme.

“Do të ndërtohet një park solar, i cili do të sillte 600 megavat energji të ripërtëritshme. Jemi duke shqyrtuar mundësinë e ndryshimit të lëshimit të licencave për energji të ripërtëritshme. Këto janë përpjekje për ta stabilizuar energjinë në vend, për ta stabilizuar kërkesën për energji mes dimrit dhe verës”.

Visar Azemi, koordinator i KOSID-it, tha se e ardhmja e sektorit të energjisë duhet të jetë përkrah zhvillimit rajonal dhe evropian. Sipas tij, duhet të kalohet nga prodhimi i energjisë përmes lëndëve fosile në energji të ripërtëritshme.

“Jemi marrë shumë me humbjet teknike dhe komerciale në rrjet, Kosova ka shpenzuar më shumë se që ka pasur nevojë. Jemi marrë me problemet e banorëve të Hades, me problemin e ndotjes që ka ardhë si pasojë e prodhimit të energjisë nga linjiti”.

“Tregu i përbashkët me Shqipërinë dhe integrimi i Kosovës në tregjet evropiane kanë qenë fokus. E ardhmja e sektorit të energjisë duhet të jetë përkrah zhvillimit rajonal e evropian, kalimi nga prodhimi i energjisë nga lëndët fosile në energji të ripërtëritshme”.

Lulzim Syla nga kompania ELEN, përfaqësues nga sektori i biznesit, tha se çdo vit bizneset kanë humbje deri në 300 milionë euro si pasojë e mosfurnizimit të rregullt me energji.

Ai shtoi se per të ardhur investitorë të huaj duhet të stabilizohet furnizimi me energji pasi, sipas tij, kërkesa për konsum do të ishte shumë e madhe, raporton EO.

“Nëse flasim për më ftu investitorë, në miniera ose kompani tjera, konsumi  i energjisë është i jashtëzakonshëm. Nëse flasim për rritje ekonomike, 7 për qind flasim për kërkesa të energjisë shumë të mëdha. Një megavat në tregun e Kosovës dhe Ballkanit e realizojnë jo më shumë se me 700 mijë euro”.

“Kosova C është brenga jonë që katedra e energjetikës është mbyllur, nuk pranon gjenerata të reja. Për rikthimin e kësaj pike kemi dëshirë me i ndihmu ministrit. Kosovës C i duhen 300 inxhinierë, s’kisha pasë qef me ardh një inxhinier nga Bullgaria”.

Syla tha se heqja e TVSh-së në projekte për energji të ripërtëritshme do t’i bënte më të leverdishme investimet në këtë sektor, raporton EO.

“Energjia e ripërtëritshme, zgjidhja është shumë konkrete. Impakti do të ishte i madh nëse arrijmë me heq TVSH-në në projekte për energji të ripërtëritshme, e cila do të bënte të leverdishme investimin në këtë sektor. Kosova konsiderohet si potencial për 500 megavat energji të ripërtëritshme”, tha Syla.

 

Të ngjashme